Bordi i Transparencës ka vendosur në mbledhjen e sotme rritjen rekord të çmimit të hidrokarbureve në vend. Kështu nga sot nafta do të shitet me 245 lekë për litër nga 223 lekë për litër që ishte. 

Rritje ka pësuar dhe benzina, që do të tregtohet me 204 lekë, nga 198 lekë që ishte në vendimin e 1 tetorit. Gazi do të tregtohet me 78 lekë për litër duke mos lëvizuar nga çmimi i vendosur më parë.

Kjo rritje vjen pasi Organizata e vendeve eksportuese të naftës, OPEC+ vendosi të mërkurën që të ulë ndjeshëm prodhimin si reagim ndaj uljes së çmimit të karburanteve. Kjo masë mund të shkaktojë pasoja të ndjeshme tek ekonomia globale e cila po përjeton vështirësi, dhe të rrisë çmimet për konsumatorët amerikanë, çka mund të ndikojë politikisht në zgjedhjet për Kongresin amerikan në nëntor. Gjatë ditës së sotme, një fuçi naftë u tregtua me gati 96 dollarë.

Ndonëse në bursa ky tregues është pothuajse në nivelet e fund shkurtit, përpara se të fillonte lufta, dhe kur në vend tregtohej me rreth 190 lekë për litër, operatorët e tregut pohojnë se shumë faktorë kanë ndryshuar që nga ajo kohë, duke filluar që nga dollari, që ka arritur në gati 120 lekë dhe rritja e kontratave të treguesit Platts, që është bursa referencë ku blejnë kompanitë shqiptare. Kontrata e Platts për tetorin është 1224 USD/ton dhe për nëntorin 1125,50 USD/ton.

Ulja e prodhimit në nëntor mund të sjellë përfitime për Rusinë, anëtare e OPEC-ut, ndërsa vendet evropiane janë angazhuar për t’i dhënë fund importit të naftës ruse sa më shpejt të jetë e mundur. Përveç një uljeje simbolike të prodhimit të naftës muajin e shkuar, shkurtimi drastik është një kthesë e papritur, ndërsa OPEC-u kishte vazhduar të shtonte prodhimin pas shkurtimeve të thella të bëra gjatë pandemisë. / Dosja.al

Leave A Reply

Do t`u japim zë të pazëve dhe t`u kërkojmë llogari atyre që nuk e bëjnë. Ne jemi S.O.S !

 

Exit mobile version