Stacioni më i ndjekur i lajmeve në Francë, BFMTV, ka pezulluar një nga prezantuesit më të vjetër të tij dhe ka nisur hetime të brendshme mbi burimet e disa lajmeve, të lidhura me një entitet dezinformacioni nga Izraeli të quajtur “Team Jorge”.

Rachid M’Barki, lexues lajmesh në BFMTV që prej nisjes së stacionit në 2005, është pezulluar dhe po hetohet tashmë për një seri lajmesh të publikuara në edicionet e programit të tij ‘Le journal de la nuit’.

Pezullimi erdhi pasi anëtarët e grupit izraelit ‘Team Jorge’ sugjeronin se grupet e tyre i kishin dhënë fshehtësisht BFMTV lajmin investigativ për skandalin e industrisë së jahteve në Monaco, mes te tjerave. Lajmi i vitit të kaluar sugjeronte se sanksionet e vendosura ndaj oligarkëve rusë po dëmtonin rëndë industrinë e jahteve në principatën e Mesdheut.

Kur një gazetar i kërkoi BFMTV të dinte burimin e këtij dhe disa temave të tjera investigative, M’Barki u pezullua.

Grupi i njohur si “Team Jorge” shet shërbime informacioni me anë të hakerimit, si ndaj klientëve politikë apo të bizneseve që duan të ushtrojnë influencë në fushatat e tyre mediatike, shkruan britanikja The Guardian.

Ekspozimi i tyre u bë nga vetë rrjeti britanik dhe nga një konsorcium gazetarësh me në krye OJQ-në franceze ‘Forbidden Stories’. Kreu i njësisë, Tal Hanan, ish operativ i forcave speciale izraelite, që përdor pseudonimin “Jorge”, është filmuar duke u mburrur për aftësitë e manipulimit të mediave dhe përhapjes së propagandës, me anë të gazetarëve të infiltruar që hiqen si klientë të mundshëm.

Në një prej takimeve të filmuara fshehtësisht, Hanan u tha gazetarëve se historitë e tij publikoheshin në Francë, dhe më pas u tregoi videon.

Leave A Reply

Do t`u japim zë të pazëve dhe t`u kërkojmë llogari atyre që nuk e bëjnë. Ne jemi S.O.S !

 

Exit mobile version