Lirohet nga qelia ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri. Me kërkesë të prokurorit të çështjes Mustafa Turku, gjyqtarja Matilda Fetahu shpalli vendimin për të liruar Tahirin, duke vendosur që ai të kryejë një pjesën e mbetur të dënimit në shtëpi, pra 1 vit e pak muaj.
Ai u lirua me kusht, pasi rezultoi se e kishte kryer pjesën më të madhe të dënimit, në shërbim prove dhe në qelitë e dy burgjeve. Avokati i ish-ministrit paraqiti epikrizë mjekësore që klienti i tij nuk duhet të qëndrojë në burg.
Gjatë seancave të mëparshme gjyqësore, Tahiri kërkoi ulje të dënimit me 1 vit e 6 muaj burg pasi pretendoi se gjatë periudhës kur ai ka kryer shërbimin e provës ka shlyer 1.6 vjet nga dënimi që shqiptoi Gjykata e Apelit.
Më 4 shkurt 2023, Apeli i Gjykatës Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit pas një seance maratonë, dënoi Tahirin me 5 vite burg për ‘Shpërdorim të detyrës’. Por me gjykim të shkurtuar dënimi u ul në 3 vite e 4 muaj burgim. Tahiri u dënua vetëm për “Shpërdorim detyre” duke i ‘shpëtuar’ akuzave “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”.

