Artion Ferraj, bashkëshorti i 18-vjeçares Tina Pajollari e vendosur në pranga si e përfshirë në vrasjen e Martin Çeços, ka treguar momentin kur ajo u arrestua nga policia.
I riu u shpreh se Tina Pajollari ishte tek prindërit e tij në Vlorë, ndërsa ai vetë në fshatin Marjanë kur uniformat blu trokitën në derën e banesës së saj dhe kërkuan që ajo të shkonte të jepte një deklaratë.

Artion Ferraj zbuloi se e dërgoi vetë në Prokurori 18-vjeçaren, pa e ditur se partnerja e tij do të arrestohej nga policia. Ai tha se e zbuloi arrestimin e saj në momentin kur policia e nxori nga ambientet e Prokurorisë për ta dërguar në komisariat dhe i kërkuan që të merrte avokat.
“Mësuam që kishte ardhur policia këtu, na telefonoi mamja e saj tha ka ardhur një urdhër për tu paraqitur. Duhet paraqitesh për çështjen e të ikësh prapë, kaq i ka thënë.
Nusja ishte në Vlorë me familjen time, unë isha në mal në Marjanë. Mori në telefon më tha që më ka kërkuar policia. I thashë takohemi në Korçë dhe e dërgova në Prokurori. Më thanë “prit këtu, se pak punë kemi dhe do të dalë”, “mirë, në rregull”, i thashë. Pritëm deri në 4:30 dhe doli Tina që do e çonin në polici. Më thanë “Kjo ka bërë një vrasje me paramendim, duhet të gjeni një avokat. T’ia gjej shteti, apo do ia gjesh vetë?”. I thashë që do e konsultoja me familjarët”, tha ai.
Partneri i 18-vjeçares shprehu bindjen se ajo ishte e pafajshme pasi Martina Pajollari iu ishte betuar në “kokë të babait” se nuk kishte lidhje me ngjarjen, duke i qëndruar versionit të të resë dhe familjes së saj se deklaratat i kishte bërë nën presionin e policisë.
I pyetur në emisionin “Uniko”, nëse besonte se Tina Pajollari ka pasur lidhje jashtëmartesore me autorin e dyshuar të krimit të rëndë, ai u shpreh: “Valter Mollajn e njoh, biem qumësht në baxho dhe mblidhemi të gjithë. Kemi krijuar muhabet, i kam shkuar dhe tek shtëpia, kemi ngrënë bukë. Këta dy të tjerët nuk i njoh. Ai është njeri i urtë, njeri i mirë. Nuk kanë pasur lidhje. Nëse do kishin lidhje, nuk do i hyja kësaj pune përderisa jam lidhur me atë vajzë. I kam besuar asaj dhe familjes së saj, që nuk është e vërtetë. Dua që të dalë e drejta. Ai të marrë drejtësinë e tij dhe ne të na vijnë njerëzit tanë në shtëpi, si ata djemtë.
Mendoj se edhe tre të arrestuarit nuk janë të përfshirë. I kanë arrestuar për shkak të deklarimeve, janë gjynah.
Nuk janë pasur lidhje dashurie, janë kushërinj në radhë të parë. Ai ka çupën sa Tina, këta hanë e pinë me njëri-tjetrin. S’ka mundësi të ndodhë, janë kushërinj.”

