20 mijë euro janë sekuestruar në pikën kufitare të Muriqanit në Shkodër. Në njoftim bëhet me dije se paratë janë gjetur në makinën e 37-vjeçarit nga Kamza me inicialet E. M.. Ky i fundit i kishte fshehur paratë në një hapësirë të sajuar në mjet, në mënyrë që të mis i deklaronte. Por, efektivët ia kanë gjetur dhe ia kanë sekuestruar. Vetë 37-vjeçari është proceduar në gjendje të lirë.
Njoftimi:
Shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Muriqan, si rezultat i kontrolleve të shtuara, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare, si dhe bazuar në analizën e riskut, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll të imtësishëm, automjetin me drejtues shtetasin E. M.
Nga kontrolli, shërbimet e Policisë konstatuan një hapësirë të modifikuar, me qëllim fshehjen e shumës 20 000 euro të cilat ky shtetas tentoi t’i kalonte në PKK Muriqan, pa i deklaruar sipas përcaktimeve ligjore në fuqi.
Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të DVP Shkodër referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. M., 37 vjeç, banues në Kamëz. Gjithashtu, u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, shuma 20 000 euro.

