31 kilogramë kokainë është gjetur e sekuestruar këtë pasdite në Portin e Durrësit. Lënda narkotike ishte futur në kontejnerët e kompanisë ‘BanaKing’, në pronësi të biznesmenit Trifon Murataj, që ishin ngarkuar me banane në Ekuador.
Por, bashkë me frutat ekzotike, në Portin e Durrësit mbërriti dhe 31 kilogramë drogë. Kontrollet në kontejner janë kryer tri ditë pas mbërritjes së tij në Shqipëri dhe dyshimeve të ngritura se brenda mund të fshihej diçka e dyshimtë.

Pas informacioneve të marra, Task Forca ka zhvilluar operacionin dhe me ndihmën e qenve antidrogë, zbuloi vendin ku fshihej droga. Kokaina ishte mbështjellë dhe ngjitur në kapakët e frogoriferit të mbushur me banane. Ende nuk ka një njoftim zyrtar nga Policia dhe nuk dihet nëse ka të arrestuar nga operacioni në fjalë.

Kjo nuk është hera e parë që në kamionët e ‘BanaKing’ gjendet drogë. Për këtë kompani, ZICO SHA, DEA e Athinës ka njoftuar Policinë e Shtetit që kryen trafik kokaine nga Ekuadori. E-maili i është përcjellë Gledis Nanos nga Tonin Vocaj 31 dhjetor të vitit 2021 dhe shkruan për një kompani me seli në Durrës, ZICO SHA. Informacioni u zbulua pas hakerimit të e-mailit të Nanos.
E njëjta kompani është përfshirë në një rast të dyshimtë, kur në korrik të këtij viti u raportua se i ishin zhdukur 49 kuti me banane. Kamerat nuk e filmuan dot këtë episod dhe 20 punonjësit e arrestuar të Doganës dhe Portit u liruan pas arrestimit.
Dyshimet ishin se ata “mbyllën” sytë para marrjes së kutive që dyshohet se ishin të mbushura me kokainë. Gazetari Artan Hoxha ka deklaruar për këtë rast se nëse kutitë ishin të mbushura me drogë, sasia është rekord në një peshë rreth 850 kilogram kokainë.

