Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi sot Deklaratën dhe Raportin e Stabilitetit Financiar për 6-mujorin e parë të këtij viti.
Mbështetur në analizën e raportit, Banka e Shqipërisë vlerëson se në gjashtëmujorin e parë të vitit 2022, veprimtaria e sektorit bankar u zhvillua në mënyrë të qëndrueshme.
Depozitat dhe kreditë u rritën me ritme më të ulëta se në periudhat e mëparshme, cilësia e kredisë vijoi përmirësimin dhe treguesit e tjerë të qëndrueshmërisë financiare mbetën në nivele të përshtatshme. Në tërësi, ekspozimi i sektorit bankar ndaj rreziqeve u paraqit i kontrolluar.
Sipas Bankës së Shqipërisë, zhvillimet ekonomike përgjatë periudhës ishin pozitive, ndonëse rritja ekonomike dhe çmimet e larta të energjisë dhe të ushqimeve në tregun ndërkombëtar, ruajtën presione të theksuara inflacioniste.
Në këto kushte ka nisur normalizimi i politikës monetare për uljen e normës së inflacionit në afatin e mesëm dhe po merren masa të natyrës fiskale dhe administrative për sigurimin e energjisë së nevojshme për ekonominë.
Në deklaratën e saj, banka qendrore nënvizon se, për shkak të çmimeve të jashtëzakonshme të energjisë në tregun ndërkombëtar dhe pozicionit të vendit tonë si një ‘importues neto’ i energjisë, sfida për rritjen e ekonomisë në muajt e ardhshëm është e konsiderueshme.

Për të administruar këtë skenar, nevojitet që bankat të evidentojnë ekspozimet e tyre më të ndjeshme dhe të ndërmarrin në kohën e duhur veprimet e nevojshme për mbulimin e rreziqeve, duke përfshirë krijimin e rezervave financiare dhe fuqizimin e pozicioneve të kapitalit. Banka e Shqipërisë do të vijojë të monitorojë me kujdes zhvillimet në sektorin bankar dhe në treguesit makroekonomikë e financiarë. Ky proces siguron që vendimet e politikave të institucionit t’i përgjigjen zhvillimeve aktuale dhe pritjeve që ndërtohen mbi to, duke synuar gjithmonë ruajtjen e stabilitetit makroekonomik dhe financiar,” thuhet në njoftimin e Bankës së Shqipërisë.
Raporti i Stabilitetit Financiar është një nga dokumentet e rëndësishme periodike të përgatitura nga Banka e Shqipërisë, me qëllim kryesor identifikimin dhe vlerësimin e rreziqeve me të cilat operon sistemi financiar dhe infrastruktura e tij.
Burimi/Monitor
