Në Nju Jork është diskutuar raporti i rregullt gjashtëmujor i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres për situatën në Kosovë për periudhën 16 mars deri më 15 shtator 2022. Ndërsa përfaqësuesit e lartë nga Serbia dhe Kosova shkëmbyen mendime të ndryshme për shkakun e pasigurisë rajonale dhe arsyet e mungesës së progresit në diskutimet ndërmjet të dyja palëve, zyrtari i lartë i Kombeve të Bashkuara në Prishtinë bëri thirrje për përmbajtje dhe dialog konstruktiv përmes të gjitha kanaleve të disponueshme.
Caroline Ziadeh, Përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm dhe Shefja e Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), i tha Këshillit të Sigurimit se, që nga pranvera e kaluar, disa përshkallëzime në retorikë midis Prishtinës dhe Beogradit kishin çuar në tensione në terren, duke kërcënuar pengimin e shumë përparimeve të arritura nga dialogu në Bruksel. Megjithëse ndërhyrjet diplomatike çuan në lehtësim e përkohshëm në formën e afateve të zgjatura dhe premtimeve për vazhdimin e diskutimeve, gatishmëria e palëve për të rrezikuar konfrontime të rrezikshme në terren, në rastin më të mirë, e ktheu procesin prapa.
“Në rastin më të keq, mund të çojë në pasoja shumë më të rënda, edhe nëse të paqëllimta,”-theksoi ajo.
Përkundër sfidave të tilla, ka pasur shembuj pozitivë të lidershipit dhe bashkëpunimit, tha ajo, duke theksuar se qeveria e Kosovës mbetet e fokusuar në adresimin e çështjeve kritike në lidhje me sundimin e ligjit. Ndërsa theksoi rëndësinë e iniciativave të bashkëpunimit në nivel qeveritar rajonal për të lehtësuar tensionet politike, ajo tha se paqja e qëndrueshme kërkon shumë më tepër.

Nikola Selakoviç, Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, kundërshtoi ‘pamjen’ e paraqitur në raportin e stabilitetit që mbizotëron në Kosovë gjatë muajve të fundit, duke thënë se lëvizjet e njëanshme të Prishtinës vazhdojnë të thellojnë sistematikisht dallimet etnike, duke shkaktuar diskriminim ndaj serbëve. Për dialogun Beograd-Prishtinë, ai tha se duke insistuar vazhdimisht në njohjen reciproke, e sipas tij, e ashtuquajtura politikë e reciprocitetit të Prishtinës tregon mungesën e vullnetit thelbësor për të gjetur ndonjë zgjidhje kompromisi.
Homologia e tij, Donika Gërvalla-Schwarz, nga Kosova, vuri në dukje se Prishtina zyrtare do të aplikojë për anëtarësim në Bashkimin Evropian këtë vit dhe aspiron që së shpejti të bëhet anëtare e Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO). Megjithatë, pretendoi ka kërcënime serioze për stabilitetin dhe paqen rajonale. Duke kujtuar se presidenti Aleksandër Vuçiç kishte qenë ministër i propagandës së ish-presidentit serb dhe kriminelit të luftës Slobodan Millosheviç gjatë gjenocidit serb në Kosovë, ajo theksoi se ai vazhdon t’i konsiderojë kriminelët e luftës si heronj. Madje shtoi se Kombet e Bashkuara dikur nuk i kushtuan vëmendje propagandës së Millosheviçit dhe kjo çoi në një luftë katastrofike, paralajmëroi ajo, duke shtuar se presidenti Vuçiç po ndërton ushtrinë e Serbisë me mbështetjen e Federatës Ruse.
Në debatin që pasoi, anëtarët e Këshillit shprehën shqetësimin për ndezjen e tensioneve në Kosovën veriore lidhur me çështjen e targave në korrik, ku shumë prej tyre bënë thirrje për përmbajtje dhe pragmatizëm nga të dyja palët dhe nënvizuan nevojën për dialog të vazhdueshëm dhe konstruktiv ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Këtu ndërhyri Vassily Nebenzia nga Federata Ruse, i cili duke iu drejtuar zonjës Gërvalla-Schwarz, i kërkoi asaj që të “përmbahej nga filozofia”, duke shtuar se do të kishte qenë më mirë të përqendrohej në situatën në Kosovë sesa të shpërqendronte Këshillin me mendimet e saj për veprimet që po ndërmerren në Moskë. Madje shtoi: Faleminderit që jeni kaq lajkatarë. Duke deklaruar se do të jepte “një vlerësim real” të situatës në Kosovë, ai tha se vendi është një vatër tensioni në Ballkan, ku të drejtat e serbëve janë shkelur sistematikisht që nga viti 1999 me synim spastrimin etnik, siç dëshmohet nga zvogëlimi i numrit të serbëve që jetojnë në Prishtinë nga 40,000 para konfliktit në pothuajse 100 sot. Ndërsa disa vazhdojnë të jetojnë në veri të Kosovës.
Pas tij, ndërhyri Ferit Hoxha, ambasadori i Shqipërisë, i cili i vuri në dukje se ndërsa raporti i Sekretarit të Përgjithshëm pasqyron zhvillime të rëndësishme në një vend demokratik gjithnjë në fuqi, është befasuese që lufta në Ukrainë dhe dënimi pa mëdyshje i agresionit nga Kosova nuk përmenden. Ai tha se do të ishte më mirë të investohen disa nga 42 milionë dollarët që shpenzohen çdo vit për misionin paqeruajtës në zonat ku Kosova ka nevoja reale dhe më akute.
“Palët do të arrinin më shumë – siç kanë bërë – duke u ulur, duke folur dhe duke rënë dakord në Bruksel sesa duke mos u pajtuar në Nju Jork,”-e mbylli ai fjalën e tij.
Këtu Selakoviç e mori sërish fjalën, e tha: Zonja Schwarz është shumë e fiksuar pas Presidentit Vuçiç. Duke hedhur poshtë deklaratat e saj se Beogradi po përgatitet për agresion, ai tha se në të njëjtën kohë Prishtina po ndërton baza të reja të trupave speciale, ndërsa shtoi se presidenti kishte shumë gjëra çka ti mësonte zonjës Gërvalla-Schwarz për politikën dhe diplomacinë. Ndërsa kryediplomatja e Kosovës, mori fjalën për herë të dytë duke marrë fjalën për herë të dytë, tha se z. Selakoviç e thirri me mbiemrin e burrit të saj dhe jo me të sajin, sepse përfaqësonte “një vrimë të madhe në ndërgjegjen kolektive të Serbisë” duke përmendur të atin, një gazetar, shkrimtar dhe muzikant që u ndoq nga shërbimet e sigurimit të Beogradit për në Gjermani dhe u vra pas shtëpisë. Ndërsa për të tjerët kishte një thirrje: Mos lejoni që të tjerët t’ju mashtrojnë, duke shtuar se të gjithë duhet të lexojnë burime të sinqerta dhe të besueshme për atë që ka ndodhur në të kaluarën, çfarë ndodh tani dhe çfarë mund të jetë e ardhmja. Ajo më tej theksoi se në Kosovë e drejta e votës është e respektuar dhe e garantuar me Kushtetutë për të gjithë qytetarët.

