Një 23-vjeçar është arrestuar në Tiranë, pasi ka thyer masën e sigurisë arrest shtëpie. Po ashtu, ky person është kapur dhe me armë me vete, gjatë momentit të arrestimit. Policia ka sekustruar, pistoletën, 180 fishekë si dhe makinën me të cilën lëvizte i riu.
Njoftimi i policisë:
Tiranë Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 3, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, operacioni policor i koduar “Zastava”. Qarkullonte me automjet i armatosur dhe kishte shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, vihet në pranga 23-vjeçari. Sekuestrohen një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në inteligjencën informative për një shtetas që qarkullonte i armatosur në rrugën “Egnatia”, menjëherë kanë organizuar punën për kapjen e tij dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Zastava”.
Si rezultat i tij u arrestua në flagrancë shtetasi S. K., 23 vjeç, banues në Tiranë. Në rrugën “Egnatia”, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin me drejtues shtetasin S. K., dhe gjatë kontrollit të automjetit, gjetën një armë zjarri pistoletë. Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të banesës u gjet një sasi municioni luftarak (180 fishekë), të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale sëbashku me pistoletën. Pas verifikimeve të kryera ka rezultuar se 23-vjeçari, kishte shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.

