Një 22-vjeçar shqiptar i identifikuar si Jasin Darsi është arrestuar në Sudbury në Britaninë e Madhe teksa po shpërndante drogë për një bandë shqiptare. Ai u ndalua nga policia në Sudbury rreth orës 18:30 më 9 nëntor të vitit të kaluar, ndërsa sot është dënuar me tre vite burg.
Jasin Darsi u ndalua teksa udhëtonte me një mjet të llojit “Mercedes Benz” brenda të cilit u gjetën 10 thasë me kokainë dhe 523 £.
Në automjet janë gjetur edhe një set peshoresh, disa qese plastike dhe dy celularë.
Kur telefonat u ‘zbërthyen’, u zbulua se përmbanin mesazhe që tregonin se Darsi kishte shpërndarë drogë duke përdorur sistemin e dërgimit me kod postar.
Darsi, nga Saxon Drive, Londër, pranoi se posedonte kokainë për ta shitur atë. Stephen Mather, avokati i Darsit, tha se klienti i tij kishte ardhur në Mbretërinë e Bashkuar me një vizë studentore dhe pas qëndrimit të tepërt ai ishte përfshirë me një bandë kriminale shqiptare që e detyroi të punonte për ta shlyer një borxh.

