Ngjarja ndodhi paraditen e së mërkurës dhe u mbajt e fshehur përreth 24 orë derisa u zbulua nga media gjatë së enjtes.
NGJARJA
Viktima Shpresa Cani nga fshati Çanakaj, ka shkuar në zyrat e Bashkisë së Lushnjës në zyrën e ndihmës ekonomike ku është takuar me drejtoreshën e kësaj zyre, Anila Çela. Viktima ka debatuar ashpër me punonjësit e kësaj zyre pas vendimit për përjashtimin nga lista e përfitues të ndihmës sociale. Më pas, sipas burimeve ka shkuar në paradhomën e kryetares së Bashkisë së Bashkisë, Eriselda Sefa ku ka debatuar me tone të larta. Në debat e sipër, ajo është nxjerrë me forcë nga zyra nga forcat e Policisë Bashkiake. Ka qenë ky momenti kur ajo është ndjerë keq dhe ka humbur ndjenjat.
Policia lokale e njoftoi ngjarjen një ditë më vonë. “U referuan materialet në Prokurori për vlerësim, pasi në datën 28.12.2022, në ambientet e bashkisë së Lushnjës, ka humbur jetën shtetasja Sh. C., 60 vjeçe, banuese në Fiershegan. Paraprakisht dyshohet se 60-vjeçarja e ka humbur jetën nga shkaqe natyrale”, njofton Policia. Pas ngjarjes së rëndë të vdekjes së 48-vjeçares, në ambientet e bashkisë ka ndodhur edhe rit i pazakontë. Kryetarja e Bashkisë ka urdhëruar që të theret një pulë për të parandaluar vdekjet e tjera në këtë institucion.
JUSTIFIKIMI I BASHKISË
Pas zbulimit të rastit të pazakontë, kryetarja e Bashkisë së Lushnjës, tha se gruaja trajtohej me kemp dhe se kishte kërkuar mbështetje financiare për të dhe babanë e saj. Në reagimin zyrtar, ky institucion thotë se i ishte premtuar gruas që situata do të zgjidhej gjatë muajit janar, duke dhënë një panoramë tjetër të situatës.
“Sa i përket ngjarjes, sqarojmë se të mërkurën rreth orës 11:00 pranë Zyrës së Informacionit është paraqitur shtetasja Shpresa Cani, e cila kërkoi takim me kryetaren e Bashkisë Eriselda Sefa. Pak minuta më vonë, Kryetarja e Bashkisë priti në zyrë të interesuarën e cila ishte e përfshirë që nga viti 2007 në kategorinë ‘PAK’ si invalide e plotë nga KMCAP me diagnozë Drepanocitoze Hemozigote (sëmundje gjaku), me pagese mujore 11 915 lekë. Shtetasja Shpresa Cani deklaroi që jetonte vetëm me babain dhe kërkoi nga Bashkia që përveç trajtimit me KMCAP nga KMCAP, të gjendej një mundësi për ndihme shtesë për të dhe babain e saj edhe nga ky institucion.
Pasi dëgjoi shqetësimin e Zonjës Cani, kryebashkiakja Sefa thërriti drejtoreshën e Shërbimit Social pranë Bashkisë Lushnje për të parë mundësinë e ndihmës shtesë nga buxheti bashkiak, përveç pagesës se invaliditetit. Pati një dakordësi që në janar të shihej mundësia për ta futur në skemat e ndihmës nga buxheti bashkiak, mirëpo në një moment Zonja Cani është ndjerë keq”, tha Bashkia. Reagimi zyrtar mohon që të ketë pasur debate në ambientet e Bashkisë. “Në ambientet e Bashkisë Lushnje dhe aq më pak në zyrën e kryebashkiakes, nuk ka pasur asnjë debat mes zonjës Cani dhe përfaqësuesve të bashkisë, përkundrazi pati gatishmëri për të dhënë ndihmë shtesë për të interesuarën. Sqarojmë gjithashtu që zonja Cani është trajtuar me ndihma emergjente, sipas programeve të miratuara nga Këshilli Bashkiak.
Familjarët: Shkoi me këmbë në bashki, erdhi në arkivol
Familjaret e 48-vjeçares, që humbi jetën brenda ambienteve të Bashkisë së Lushnjës, kanë treguar se ajo kishte shkuar për të bërë letrat e KEMP-it. Ato thanë për mediat se vdekja e Shpresa Canit ishte e parapritur, duke shtuar se “iku në Bashki me këmbët e veta dhe u kthye me arkivol. Kishte vajtur për të bërë letrat, atje kishte rënë tek dera”, tha njëra prej tyre.
“Na erdhi haberi që ka vdekur Shpresa, shkuam në Lushnje e gjetëm të vdekur. Ishte vetëm fare. Ajo kishte vëllain, kunatën e babain”, u shpreh një tjetër familjare. “Ishte vdekje e papritur, iku me këmbët e veta dhe erdhi me arkivol. Kishte shkuar tek Bashkia për letrat e KEMP-it. Mbesa ishte talasemike, merrte gjak. Kur thanë vdiq atje ne u habitëm, ishte e papritur”, rrëfeu një tjetër. “Jam tezja. Do bënte disa letra atje. Kishte shkuar për të bërë letrat e KEMP-it. Vuante nga sëmundja e gjakut nga anemia. Iku bëri punët këtu lau, shpëlau dhe ku thanë vdiq atje ne u habitëm, vdekje e papritur ishte”, u shprehën tezet e 48- vjeçares.
BERISHA: DEBATI NË ZYRËN E GRUAS SË DEPUTETIT TE PS
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha se 48-vjeçarja Shpresa Cani që ndërroi jetë në ambientet e Bashkisë, kishte pasur një debat me drejtoreshën e zyrës ekonomike që është njëkohësisht edhe bashkëshortja e deputetit socialist, Bujar Çela. “Qytetari dixhital informon se gjendja shëndetësore e Shpresa Canit u rëndua pas debatit me punonjëset e Bashkisë Lushnje.
Fillimisht 48-vjeçarja, Shpresa Cani ka debatuar me drejtoreshën e Drejtorisë së Ndihmës Ekonomike, Anila Çela, bashkëshorte e deputetit Bujar Çela i PS-së, ku i është refuzuar përgjigje dhe zgjidhje për problemin e saj. Pas debatit, 48-vjeçarja ka kërkuar takim me kryebashkiaken Eriselda Sefa, duke arritur të shkojë deri në paradhomën e kryebashkiakes. Aty është tentuar të nxirret me forca nga Policia Bashkiake, ku dhe është ndjerë keq dhe ka ndërruar jetë. 48-vjeçarja, Shpresa Cani kishte shkuar në Bashkinë e Lushnjës për tu ankuar për heqjen e ndihmës. Cani ishte në kushte të vështira ekonomike, por edhe shëndetësore”, shkruan Berisha.

