KQZ hodhi sot shortin për ndarjen e anëtarit të shtatë mes PD e PS. Shorti vendosi që në të gjitha qendrat e votimit, KZAZ me numër rendor çift, drejtimin e KZAZ do e ketë PS, ndërsa në ato me numër tek, kryesimin e ka PD.
Në një prononcim për gazetarët, kryekomisioneri Ilirjan Celibashi tha se nga nesër nis zyrtarisht raportimi i partive për fushatën elektorale dhe takimet publike, ndërsa apeloi që të mos ketë përdorim të institucioneve në fushatë. Për debatin e brendshëm në PD, Celibashi tha se KQZ ruan kontakte me të dy grupet por është gjykata ajo që do të përcaktojë legjitimitetin dhe përkatësinë se cili nga të dy grupet do të quhet “PD”.
Për votimin elektronik, ambicia e KQZ është testimi në 1 bashki të madhe dhe në 1 bashki të vogël.
Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi dha garanci sot se zgjedhjet lokale të 14 majit nuk rrezikohen nga sulmet kibernetike që në muajt e fundit kanë mundur të depërtojnë në çdo faqe qeveritare ku ofrohen shërbime shtetërore. Në një deklaratë për mediat, në përfundim të mbledhjes që përcaktoi ndarjen e anëtarit të shtatë të KZAZ-ve mes PD e PS, Celibashi tha se nga nesër, KQZ do të monitorojë partitë për të raportuar para publikut aktivitetet, ndërsa tha se Shqipëria e zhvillon procesin zgjedhor shumë larg “vëzhgimit dashakeqës të hakerave”.
“Do të sjell në vëmendje që nesër fillon detyrimi për të raportuar çdo aktivitet publik. Ky aktivitet duhet të raportohet 5 ditë para në përputhje me Kodin Zgjedhor dhe KQZ. Ajo që vlen të theksohet në lidhje me ndalimet ka të bëjë më përmbajtjen dhe vetëpërmbajtjen e institucionarëve për të mos përdorur asetet publike në fushatë. Ligji detyron partitë të respektojnë ligjin. Jemi përpjekur që teknikisht të marrim masat. Në momentin që flasim, raportojmë vetëm te faqja e KQZ. S’kemi asnjë aktivitetet tjetër që mund të jetë në observimin dashakeqës. Përsa i përket votimit elektronik ai nuk zhvillohet në rrjet të hapur dhe nuk ka mundësi që dikush të ndërhyjë në këto sisteme”,-tha ai.
Ilirjan Celibashi ka bërë me dije se institucioni që ai drejton pret ende përgjigje nga qeveria për buxhetin që i duhet për votimin elektronik. Në fjalën e tij, gjatë një prononcimi për mediat, Celibashi tha se qëllimi fillestar ishte votimi elektonik në 6 bashki, por plani ndryshoi për shkak se nuk ka mendur shumë kohë për t’u përgatitur. Tani objektivat janë më të vogla.
“Ne kemi bërë kërkesën për financim të projektit elektronik edhe për 6 bashki të tjera. Koha që kemi në dispozicion nuk na favorizon se jemi shumë vonë. Por mund të bëjmë më shumë se Vora. Do të preferonim që të kishim 1-2 bashki të mëdha, një mesatare. Po presim ende një përgjigje nga qeveria,”-shtoi Celibashi.

