Bashkia e Sarandës ka bërë reagimin e parë, pas lëndës plasëse që u vendos në disa pjesë të hotelit që forca goditëse ta rrafshonte të gjithë godinën. Në njoftimin zytar, Bashkia Sarandë ka bërë me dije se po punohet për vendosjen para përgjegjësisë autorët e ngjarjes, po ashtu tha se po punohet në shëtitoren e qytetit dhe hapësirat publike përreth, për të bërë të mundur eliminimin e pasojave dhe normalizimin e situatës.
Deklarata e Bashkisë Sarandë:
Pas situatës jo të zakonshme, të krijuar mëngjesin e sotëm në një nga bizneset hoteliere në shëtitoren e qytetit të Sarandës, një grup specialistësh të Ndërmarrjes së Shërbimeve, Emergjencave Civile dhe Shërbimit Zjarrfikës, kanë evidentuar dëmet e shkaktuara në hapësirat publike përreth. Punonjës të Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike në Bashki, po punojnë në shëtitoren e qytetit dhe hapësirat publike përreth, për të bërë të mundur eliminimin e pasojave dhe dëmeve në këto hapësira, si dhe normalizimin e situatës. Në të njëjtën kohë, u gjendemi pranë qytetarëve të dëmtuar për çdo nevojë, që mund të kenë, për kapërcimin e kësaj situate.
Inkurajojmë strukturat ligjzbatuese për zbardhjen e shpejtë të ngjarjes dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve. Jemi të bindur se kjo ngjarje dhe pasojat e saj, të cilat, për fatin e mirë janë vetëm materiale, do të eliminohen shpejt dhe nuk do të kenë asnjë impakt negativ për qytetin.
Hotel ‘Bizanti’ u rrafshua këtë të hënë me një shpërthim me tritol. Ngjarja e rëndë mësohet se ka ndodhur në orën 05:54. Mendohet se janë përdorur disa kilogramë tritol pasi shpërthimi i fortë ka dëmtuar dhe banesat e godinat rreth hotelit, deri në 300 metra distancë.

