Këshillimi i Ministrave ratifikoi dje marrëveshjen për anëtarësimin e Shqipërisë në Mekanizmin Evropian të Mbrojtjes Civile.
Ministri i Mbrojtës, Niko Peleshi, njoftoi dje se është miratuar ratifikimi I marrëveshjes Shqipëri-BE në Mekanizmin e Bashkimit Evropian për Mbrojtjen Civile. Pas mbledhjes së qeverisë, Peleshi theksoi rëndësinë e kësaj marrëveshjeje që përpos përfitimit është edhe një hap integrues i Shqipërisë në BE.
“Është miratuar sot ratifikimi i marrëveshjes ShqipëriBE për anëtarësimin e vendit tonë në Mekanizmin e BE-së për Mbrojtjen Civile. Gjej momentin për të theksuar rëndësinë e kësaj marrëveshjeje, pasi është një hap integrues i Shqipërisë në BE. Përmes kësaj marrëveshje do të kemi mundësinë që në rast emergjencash apo fatkeqësish natyrore të përfitojmë nga solidariteti dhe kontributi i vendeve të tjera anëtare, por edhe stafet tona t’i mbajmë më pranë avancimit teknologjik, të transferojmë dijen, trajnime, certifikime etj.… Është një ngritje në nivel tjetër i reagimit të sistemit të emergjencave tona civile”, deklaroi ministri i Mbrojtjes. Sipas tij, ky vit ishte një vit i mirë pasi Shqipëria u bë pjesë e Mekanizmit Evropian për Mbrojtjen Civile.
“Për marrëveshjen me komisionerin për Mbrojtjen për Emergjencat Civile, po gjej momentin për të theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së Shqipërisë në këtë mekanizëm. E kemi përdorur dhe më parë këtë mekanizëm jo në cilësinë e një anëtari, por të një përfituesi. Tani do të kemi mundësi të përfitojmë nga solidariteti, por edhe stafet tona t’i mbajmë më pranë. Transferojmë dijen nga vendet më të zhvilluara, trajnime e kualifikime të vazhdueshme”, deklaroi Niko Peleshi. Ministri i Mbrojtjes u pyet në lidhje me çmimin e dronëve Bajraktar, të cilët janë blerë së fundmi nga qeveria shqiptare.
“Ne kemi bërë publike sit ë themi faktin që Shqipëria do të marrë një flotë dronësh, nuk mund të jap më shumë detaje duke ruajtur edhe statusin e një dokumentit të klasifikuar”, u shpreh Peleshi. Më datën 18 nëntor Shqipëria u bë anëtare me të drejta të plota e Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile, ndërsa marrëveshja për këtë anëtarësim është nënshkruar në Tiranë, raporton “Anadolu Agency” (AA). Marrëveshja në fjalë u nënshkrua nga ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Niko Peleshi dhe komisionieri i Bashkimit Evropian (BE) për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarçiç, në selinë e Kryeministrisë së Shqipërisë. Pas nënshkrimit të marrëveshjes, komisioneri Lenarçiç theksoi se ky hap vjen në një moment vendimtar kur rreziqet natyrore janë më të shpeshta dhe më intensive.
“Një fatkeqësi mund të godasë kudo dhe në çdo kohë dhe sistemet tona të reagimit ndaj krizave duhet të jenë gati për t’i bërë ballë edhe pasojave të ndryshimeve klimatike. Duke punuar së bashku, ne mund ta përmirësojmë ndjeshëm përgatitjen tonë për emergjencat dhe të ndërtojmë një sistem më fortë të menaxhimit të fatkeqësive në Evropë”, tha Lenarçiç. Në lidhje me këtë anëtarësim, reagoi edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili në rrjetet sociale shkruante se Shqipëria plotëson të gjitha kushtet dhe bëhet anëtarë me të drejta të plota e Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile.
Sipas kryeministrit Rama, ky anëtarësim do të thotë që çdo fatkeqësi natyrore e Shqipërisë është njëkohësisht fatkeqësi natyrore e Bashkimit Evropian, që sipas tij “vë menjëherë në lëvizje mekanizmin e mbrojtjes evropiane, duke angazhuar për Shqipërinë mjete, njerëz e fonde për përballimin e emergjencës”. Mekanizmi i Mbrojtjes Civile të BE-së synon të forcojë bashkëpunimin midis vendeve të BE-së dhe 8 shteteve të tjera pjesëmarrëse, si Türkiye, Shqipëria, Islanda, Norvegjia, Serbia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Bosnjë dhe Hercegovina, për mbrojtjen civile për të përmirësuar parandalimin, përgatitjen dhe reagimin ndaj fatkeqësive.
Financim 30 milionë euro për ngritjen e Sistemit të Mbrojtjes Civile
Qeveria miratoi me datën 19 dhjetor marrëveshjen ndërqeveritare me Republikën e Italisë për ngritjen e Sistemit të Mbrojtjes Civile. Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi deklaroi se ky është një angazhim i Italisë që në Konferencën e Donatorëve pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, që premtoi të mbështesë sistemin e Mbrojtjes Civile të Shqipërisë me një financim në formë huaje prej 30 milion eurosh.
“Kredia parashikon mbështetjen e Sistemit të Mbrojtjes Civile, që nuk i përket një institucioni. Drejtohet nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile nën Ministrinë e Mbrojtjes, por është i shtrirë në të gjithë territorin dhe të gjitha nivelet, duke filluar nga niveli lokal, bashkitë, prefekturat. Pothuajse i gjithë sistemi preket pozitivisht pra merr financim nga kjo kredi 30 milion euro”, sqaroi ministri i Mbrojtjes. Peleshi informoi se marrëveshja do të kalojë në Parlament për ratifikim dhe më pas do të jetë aktive. Sipas ministrit Peleshi plani parashikon ndërtimin e një qendre të mirë pajisur me teknologji të standardeve të BE-së në Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile:
“Paralel më të në të gjitha prefekturat dhe në katër qendrat e Agjencisë së Mbrojtjes Civile në territor do të ndërtohen sallat operacionale të pajisura dhe të lidhura me njëratjetrën me rrjet duke qenë ndërvepruese. Pranë qendrave të Mbrojtjes Civile do të ndërtohen edhe struktura operacionale të kërkim-shpëtimit shoqëruar edhe me pajisje, por dhe trajnim. Pra do ketë edhe shtrirje territoriale në katër qendra nëpër Shqipëri, por dhe të gjitha pajisjet në rastet e fatkeqësive natyrore. Për të gjitha bashkitë, strukturat zjarrfikëse në rang kombëtar parashikohet blerja e automjeteve zjarrfikës dhe automjeteve të tjera si dhe gjithë logjistika për përmbytjet dhe kërkim-shpëtimin në përgjithësi”, tha Peleshi. Pjesë e këtij financimi është edhe blerja e dy mjeteve ajrore specifike për luftën kundër zjarreve.
“Gjithashtu, do të ngrihet një kamp trajnimi për zjarrfikësit dhe të gjitha strukturat operacionale që duhet të trajnohen duke përfshirë dhe vullnetarë, Policinë e Shtetit dhe Forcat e Armatosura. Kjo qendër trajnimi do jetë e pajisur edhe me laboratorë simulimi, pra le të themi me këtë financim e ngremë në një nivel të lartë gjithë Sistemin e Mbrojtjes Civile. Shpresoj ta kalojmë sa më shpejt në parlament. Tashmë është bërë traditë që për marrëveshjet ndërkombëtare votohet në unison dhe nuk ka dyshime se së shpejti kjo marrëveshje do miratohet dhe aktivizohet menjëherë”, theksoi ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi.

