Pas shtyrjes së gjyqit në gjykatën e Apelit ku u zhvillua seanca për çështjen Babale, deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji deklaroi se nuk do të stepet. Në seancën e sotme, Salianji u paraqit vetë ndërsa kërkoi përjashtimin e gjyqtares relatore Edlira Petri, me arsyetimin se është në konflikt interesi. Avokati mbrojtës i Salianjit, Ledio Braho tha se bashkëshorti i saj, Sokol Sadushi ka gjykuar përjashtimin e kësaj çështje në Gjykatën e Lartë ndërsa vetë Petri ka bërë reagime në lidhje me konfliktin e brendshëm në Partinë Demokratike. Salianji jashtë dyerve të gjykatës tha se gjyqtarja nuk duhet ta kishte marrë këtë çështje.
“Akt ekspertimi që është bërë në Britaninë e madhe përcakton qartë që zëri është zëvendësuar. Unë jam sot para gjykatës vetëm për shkak të denoncimeve që kam bërë ndaj qeverisë. Në vend që para drejtësisë të shkojnë trafikantë, jemi ne që denoncojmë në emër të opozitës. Nuk është se është shtyrë ndonjëherë për mungesë tonën. Sot bëra një kërkesë për përjashtim për të anshmërisë të treguar dukshëm nga ana e gjyqtares. Ka shprehur anshmëri politike. Nuk duhet ta kishte marrë fare çështjen dhe jo të përshpejtonte. Nëse do kisha zgjedhur të isha avokat, do merresha me këtë punë. Kam zgjedhur të jem politikan, duke mbrojtur interesat e qytetarëve. Ai ishte i dënuar me 7 vite dhe jetonte i lirë në Shqipëri. Po a ka pandashmëri nga politika dhe drejtësia? Këtë detyrë kam. Nuk kam shqetësim nëse qëndron apo jo gjyqtarja. Kam zgjedhur të luftoj për interesat e publikut, sikur hyja në parcelat me kanabis dhe i denoncoja. Do vazhdoj betejën time për të mbrojtur ata që më kanë votuar. Kështu do jem për një kohë të gjatë.”
E njëjta kërkesë është bërë edhe nga ana e avokatit të gazetarit Jetmir Olldashi, Indrit Sefa.

