Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi thotë se nuk di të përcaktojë paraprakisht se cili grup i Partisë Demokratike do të regjistrohet në zgjedhjet lokale të 14 majit. I pyetur në lidhje me këtë gjë në një konferencë me gazetarët, Celibashi tha se pret që dikush të depozitojë kërkesën për tu regjistruar dhe të vlerësojë dokumentacionin që do të paraqesin. Ai shton gjithashtu se vendimi i Apelit më 3 mars do tu japë fund dyshimeve. 

Pjesë nga konferenca:

A keni krijuar një bindje se cilën PD do të regjistroni në zgjedhje dhe a besoni se më 3 mars do të marrë zgjidhje ky konflikt i PD?

Ka vetëm një PD që nëse do të plotësojë kushte do të regjistrohet. Do të regjistrohet. Kur të paraqitet kërkesa do të vlerësojmë dokumentacionin bashkëshoqërues të kërkesës për regjistrim dhe cilësinë e personave që e paraqesin. Gjykata do të vendosë më datë 3 se cili do të jetë organi udhëheqës për Partinë Demokratike. Kjo është një procedurë e nevojshme dhe nuk lidhet vetëm për procesin e regjistrimit në zgjedhje. Duhet të jetë e qartë se kush është në pikëpamje formale, organ drejtues i asaj partie. 

Gjykata e Apelit ka caktuar 3 marsin si datë kur pritet të mbahet seanca për marrjen e vendimit për vulën e Partisë Demokratike. Vendimi i gjyqtarit Agron Zhukri që i dha vulën e selinë blu kryedemokratit Sali Berisha, do të shqyrtohet nga trupi gjykues i përbërë nga Relatore Gjyqtare Elona Mihali, anëtar Irida Kacerja dhe Astrit Kalaja. Vendimi i 25 marsit u konsiderua si fitore nga Komisioni i Rithemelimit që u ngrit nga kryedemokrati Sali Berisha pas përçarjes së selisë blu në dy grupe. Vetë Berisha u rikthye në seli, por ‘kundërshtarët’ e tij brenda partisë ankimuan vendimin e Zhukrit. Rimarrja e selisë së PD nga Berisha, sipas tyre është i paligjshëm sepse vendimi i Zhukrit nuk është i formës së prerë. Zyrtarisht, në regjistrin e partive politike në Gjykatën e Tiranës, Lulzim Basha figuron ende si kryetar. Kjo gjë ka sjellë ngërç dhe në regjistrimin e PD-së në zgjedhjet lokale që pritet të mbahen më 14 maj të këtij viti.

Leave A Reply

Do t`u japim zë të pazëve dhe t`u kërkojmë llogari atyre që nuk e bëjnë. Ne jemi S.O.S !

 

Exit mobile version