Kryeministri Edi Rama ka reaguar për zhvillimet e fundit në Kosovë pas largimit të Listës Serbe nga institucionet vendase si dhe qëndrimet e mbajtura nga Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç.
Në një postim në Tëitter, Rama thotë se mbështet thirrjet e SHBA-së dhe BE-së për dialog mes Kosovës dhe Serbisë.
Sipas kreut të qeverisë shqiptare, autoritetet e Kosovës kanë të drejtë të kenë rezerva për Asosacionin e Komunave Serbe, por situata e krijuar mund të zgjidhet vetëm përmes dialogut.
Postimi i kryeministrit Edi Rama:
Po e ndjekim me vëmendje të madhe e shqetësim të vërtetë situatën e acaruar në Kosovë dhe bashkohemi me qëndrimet e aleatëve tanë strategjikë SHBA&BE.
Ndërkohë që mbështesim plotësisht idenë themelore të Planit Franko-Gjerman bëjmë thirrje për vetëpërmbajtje dhe DIALOG.
Autoritetet e Kosovës janë në të drejtën e tyre të kenë rezerva për Asociacionin e Komunave Serbe dhe unë e mirëkuptoj këtë! Por i mirëkuptoj edhe aleatët kur e kërkojnë këtë me “forcë”! Prandaj duhet kërkuar një DIALOG I PALODHUR me Serbinë për të mos humbur edhe aleatët!
Qeveria e Kosovës nisi zbatimin e planit me 3 faza për ri regjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS. Ky plan, i cili në fazat e saj përfshinin edhe gjoba, ka sjellë tensione në veri të vendit, ku vetëm disa ditë më parë, Lista Serbe u tërhoq nga institucionet e Kosovës.
Kjo nuk është pritur mirë nga autoritetet vendase, të cilat akuzuan Beogradin se po vijon me provokime ndaj Kosovës dhe se nuk po zbaton marrëveshjet.
Në komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviç dhe Zubin Potok, llogaritet se janë deri në 10.000 automjete me targa ilegale serbe.
Këto targa i lëshon Serbia dhe bartin akronime serbe të qyteteve të Kosovës, si: KM, GL, PR, UR e të tjera.


