Kolegji Zgjedhor ka vendosur që të rrëzojë kërkesën e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për të zhvilluar zgjedhje të reja lokale për Bashkinë Kamëz. Koalicioni “Bashkë Fitojmë” kërkoi ekspertimin kompjuterik të pajiseve elektronike të zgjedhjeve në Kamëz, me pretendimin se ka pasur një manipulim në votimin elektronik të bërë nga qytetarët, gjë që është hedhur poshtë nga ana e Kolegjit Zgjedhor. E njëjta kërkesë është bërë edhe për Bashkinë e Elbasanit, ku gjithashtu kishte votim elektronik, por edhe ajo kërkesë është rrëzuar.
Në Kamëz, Rakip Suli u shpall fitues me 23657, ose 60.65 % të votave, ndërsa kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Arjan Hoxha mori 13,694 vota ose 35,11% të votave. Megjithatë opozita tashmë duhet të përgatitet për zgjedhje të reja në 2 Bashki, atë të Rrogozhinës dhe të Kukësit. Në të parën, Kolegji Zgjedhor e pranoi pretendimin e tyre lidhur me votimin në burg, ndërsa në Kukës, zgjedhjet zhvillohen pas dorëheqjes së Safet Gjicit, i cili u filmua duke kryer marrëdhënie seksuale në zyrën e tij. Tashmë pritet që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të caktojë edhe datën e zgjedhjeve.

