Me 13 vota pro, deputetët e maxhorancës kanë mbledhur komisionin e Ligjeve për të kaluar pr/ligjin e legalizimit të kanabisit mjekësor. Projektligji është votuar me 13 vota pro dhe 2 abstenim. Këto 2 vota ishin nga “old school” të Partisë Socialiste, Fatmir Xhafaj dhe Pandeli Majko. Por nuk dihet asnjë gërmë e diskutimit të tyre në mbledhje, e cila nuk kishte asnjë media të pranishme. Veçse që ishte kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka, e cila ka thirrur në një dhomë të Kuvendit mbledhjen.
Të dhënat e mbledhjes janë zbuluar vetëm nga gazetarët që ndodhen aktualisht në Kuvend, pasi ishte mbajtur sekret edhe për opozitën që ishte e përqëndruar në çështjen e Arben Ahmetajt që rrezikon arrestimin nga Strukrura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Por sinjalin e parë nga salla e dha deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula.
“Si mund të ndodhë që në prani të 140 deputetëve, e medias të mashtroni opinionin publik shqiptar. Të mblidhet Komisioni i Ligjeve në mënyrë të fshehtë, pa kuorumin e nevojshëm, pa procesverbal, pa incizim, pa ditur asnjë deputet i komisionit të ligjeve dhe të merrni një vendim për 10 minuta legalizimin e kanabisit. Legalizimin e drogës në Shqipëri. Këtë po bëni, dhe na tregoni se po shkelni rregulloren. Jo po kërkojmë respektimin e rregullores. Ju ka kapur arroganca. Nuk ju bën syri terr. Lefter Koka furnizoi me oriz inceneratorin. Ai e nxorri në mes të tavolinës se nuk ka turp më. Ai tjetri fsheh diamantët. Është arroganca. Këtu ka arritur ku nuk thuhet më,”- tha deputeti i PD-së Dash Sula.
Edhe deputetja Dhurata Çupi e denoncoi: Janë votuar në mënyrë abuzive 45 nëne të ligjit të kanabisit, pa kamera, pa regjistrim, pa opozitën, pa kuorum. Ka pasur edhe nga ty deputetë që kanë abstenuar. Ky është një turp, kjo është papërgjegjshmëri; ndërsa pas saj reagoi edhe Saimir Korreshi, i cili tha: O burra këto ditë të nxehta të rrisim kanabisin. U futën deputetët në një ëC të Parlamentit, pa kamera, pa procesverbal dhe bënë mbledhjen e Komisionit. Për këto paska shpejtësi, për këtë tjetrën të Ahmetajt, duhet të presim 4-5 ditë. Kalojmë dhe fundjavën me diell dhe pastaj mblidheshim. Rama duhet të kishte ardhur dhe të kërkonte falje para shqiptarëve se e kishte nxjerrë Ahmetajn si trurin e qeverisë së tij.
I pyetur për mungesën në diskutime Gazmend Bardhi shprehet se mbledhja është bërë në shkelje të rregullores.
“Nuk shkuam në mbledhje se ishim në Seancë dhe nuk kishte urdhër të kryetrarë së Kuvendit që të mblidhej Komisioni i Ligjeve gjate seancës siç thotë rregullorja.”
Projektligji pritet të votohet në parlament në seancën e fundit të këtij sesioni me datën 20 korrik, ndërsa opozita e kundërshton këtë nismë të qeverisë Rama. Ndërkohë që maxhoranca e kaloi projektligjin në fshehtësi, hesht edhe kryeministri Edi Rama, i cili në mesin e skandaleve me socialistët, gjykon dhe “jep mend” lidhur me sjelljen e deputetëve të opozitës në Kosovë.
Qeveria miratoi pak ditë më parë projektligjin për kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale. Si rrallë ndonjëherë, qeveria nuk e shoqëroi ligjin me relacionin përkatës ku shpjegohen përfitimet e vendit nga kjo nismë, por fermerët dhe ekspertët e bujqësisë thonë se, legalizimi i kanabisit do të konkurrojë bujqësinë tradicionale në sipërfaqe toke dhe në punonjës. Projekti i qeverisë “Rama” që u bazua në një pyetësor të organizuar nga vetë qeveria një vit më parë u kundërshtua dhe nga përfaqësues të tjerë të opozitës. Projekligji parashikon që licensat do t’u jepen vetëm kompanive të huaja me përvojë me më shumë se 3 vite në këtë fushë dhe me kapital të shoqërisë mbi 100 milionë lekë. Lejet do të jepen për një afat 5-vjeçar me të drejtë rinovimi, për sipërfaqe jo më të vogël se 1 hektar.

