Rastet e bllokimit të anijeve me naftë në portin e Durrësit, si dhe shkelja e embargos së Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara është kthyer në një shqetësim serioz. Gazetari Julian Kasapi shkruan se rasti i anijes me 22500 ton naftë ka nxjerrë në pah të dhëna sesi bëhet trafiku i naftës që vjen nga Rusia dhe më pas kamuflohet me flamuj të vendeve të tjera.
Porositësi i naftës, sipas dokumenteve të siguruara nga A2 CNN, është kompania IBGAS AG, e regjistruar në zonën e lirë Porto Romano dhe nafta u shitet kompanive shqiptare. Autoritetet kanë nisur hetimet për thyerjen e embargos nga një grup kompanish, të cilat kanë marrë përsipër shpërndarjen e naftës ruse në Mesdhe, duke bërë dhe falsifikimin e certifikatave të origjinës në ujërat territoriale të Greqisë. E bazuar në dokumente, qëndron Socar Trading dhe Maddox nëpërmjet kompanive bija si Oil Mar Shipping DMCC nga Dubai, Alkagesta nga Malta dhe Almedia nga Turqi.
Vetëm tre ditë më parë, po i njëjti grup, Alkagesta, tentoi të çonte naftë ruse në Spanjë në portin e Tarragones, por edhe ky rast ishte i bllokuar nga autoritetet spanjolle. Po e njëjta kompani, Alkagesta, së fundmi është regjistruar dhe në territorin shqiptar, në zonën e lirë në Porto Romano, ku ka dhe kod identifikimi pranë Doganës Tiranë dhe është pajisur me kontratë magazinimi.
Anija “Grace Felix”, që u bllokua nga kapiteneria e portit Durrës, rezulton të ketë përdorur të njëjtën skemë. Nga gjurmimi i bërë nga autoritetet, kjo anije është furnizuar nga anija FIDAN, e cila me datë 20 janar është ngarkuar në portin e Novorossiysk, Rusi.
Më pas, e ndjekur nga satelitët, vihet re se anija ka shkuar në gjirin e Lakonikos të Greqisë, ku ka furnizuar me naftë ruse anijen “Grace Felix” të bllokuara në Shqipëri. Grupi i këtyre kompanive pajiseshin me certifikata origjine të falsifikuara dhe të paautorizuara nga shteti grek. Kështu e ndryshonin origjinën e mallit nga Rusia në vende të tjera, në kundërshtim me sanksionet e vendosura mbi produktet hidrokarbure. Këtyre sanksioneve iu është bashkuar edhe Shqipëria, por është hera e disatë që thyhet.

