Ambasadori britanik në Tiranë, Alastair King-Smith u akuzua dje nga ish-kryeministri Sali Berisha si “nënshkruesi” i shpalljes së tij ‘person i padëshirueshëm’ më Britaninë e Madhe. E fill pas deklaratës së Berishës, në rrjet po qarkullon një foto e ambasadorit me ministren e Kulturës, Elva Margariti në koncertin e Rita Orës në Tiranë. Shumë u habitën, kur në fakt “aventura” e Alastair King-Smith në Tiranë nisi si kurrë më parë nga një ambasador tjetër.
Në 10 Shtator 2021, ai u bë bashkëorganizator i një mbrëmjeje Gala, me rastin e promovimit të serisë së re të sagës të agjentit 007, James Bond, “No time to die” (S’kam kohë për të vdekur). U mblodhën të gjithë, dmth të gjithë socialistë e zyrtarë të lartë të vendit, se për opozitën nuk kishte vende më që kishin mbetur.

Me shumë përzëmërsi u prit dhe ambasadorja amerikane Yuri Kim, rrugën e të cilës duket se shumë shpejt do të ndiqte edhe britaniku. Në maj të vitit 2021, Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi se kishte vendosur të ndalonte hyrjen në SHBA të Sali Berishës, më pas, për arsye që nuk dihet pati reagim edhe nga “UK”. Madje dhe kësaj herë, Berishës ia thanë në Kuvend para se firmës së hedhur t’i thahej boja.
Data shënonte 21 Korrik 2022, e kreu i Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla, i drejtohet Berishës në seancë plenare: “A e kalon dot kanalin e La Manche-t me not”? Stil alla Rama, që e pyeti nëse Berisha e ‘kalonte dot oqeanin me not’. Edhe pse aspak origjinal, punën e bëri, e paralajmëroi vendimin e Britanisë së Madhe. Ndoshta socialistët e kanë ndjerë, se nuk ka shanse që të dalë ndonjë gjë nga “Home Office”. I vetmi që mund të thoshte ndonjë fjalë është ambasadori, por ai ishte pak i zënë me kryebashkiakun e Tiranës. Të dy bashkë lancuan “Javën e Kulturës Britanike”. Event i madh. Ambasadori iu përshtat shpejt edhe motit shqiptar, duke u shfaqur me një kapele në kokë.
Në 100-vjetorin e marrëdhënieve mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë, Bashkia e Tiranës organizoi një sërë aktivitetesh që kremtojnë kulturën, artin, muzikën dhe sportin britanik, që do të kulmojnë me koncertin e Rita Orës. Tipik personazh që i bashkon dy kulturat. Një shqiptare, e rritur në Londër që ka prekur majat e muzikës.
Do mungonte Alastair King-Smith? Jo. Do qëndronte i vetëm në turmë? Jo. Në koncertin e Orës, diplomati britanik nuk e pati fare për siklet që të pozonte faqe më faqe me Ministren e Kulturës, Elva Margariti.
“Duke shpresuar që ky bashkëpunim kaq i ngushtë mes ministrisë së Kulturës dhe ambasadës britanike do na mundësojë edhe kthimin e arit të grabitur nga Britania e Madhe pas Luftës së Dytë Botërore”, shkruhet në diçiturën e fotos së ambasadorit dhe ministres.
Bënë foto, e postuan, u argëtuan. Konfidenca goxha të mira me njëri-tjetrin. Ndërkohë që deri më tani organizon evente gala, festa e koncerte, duket Alastair King-Smith po jeton jetën e duket se ende nuk i ka dalë nga qejfi dielli i Shqipërisë dhe jetë që mund të bërë një ambasador këtu. Pse jo? Ka pasur shembuj të mirë të diplomatëve të tjerë që kanë shëtitur të gjithë vendin, e ndonjëherë (jo domosdoshmërisht) tek-tuk e kanë bërë ndonjë koment…për opozitën. Se deri më tani qeveria duket se po bën punë të mirë. Për argëtimin e ambasdorëve ama…
Presim që të paktën kur të ikin dhe të mbarojnë shërbimin në vendin tonë, të lënë “revieë” më të mira../Dosja.al