Kryeministri Edi Rama ka reaguar pasi SPAK kërkoi autorizimin nga Kuvendi për t’i hequr imunitetin Belinda Ballukut, pasi kjo e fundit u rikthye përkohësisht në detyrë me vendim të Gjykatës Kushtetuese, deri në shqyrtimin në themel të ankimimit të qeverisë më 22 janar.
Kreu i qeverisë, përmes një postimi në X, shkruan se ende pa u tharë boja e vendimit të Kushtetueses, prokurori i çështjes ka kërkuar autorizim për arrestimin e zëvendëskryeministres me burg apo në shtëpi.
Sipas tij, arrestet pa gjyq janë kthyer në një “modë të vrazhdë” në Shqipëri, dhe se Shqipëria është bërë një vend me më shumë të paraburgosur sesa të burgosur, gjë që sipas të cilit është një fakt i turpshëm që nuk ka lidhje me standartet demokratike
Ai thotë se kërkesën e prokurorit special nuk do ta paragjykojnë, ndërsa shton se ndryshe nga proceset e tjera këtë herë iu kërkohet të japin një opinion, “do të angazhohemi dhe do të përgatitemi për të mbajtur një qëndrim të drejtë, të qartë e të denjë, si forca udhëheqëse e vendit dhe e Reformës në Drejtësi”.

Reagimi i Ramës:
Pasi u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese për pezullimin antikushtetues dhe antidemokratik të një anëtari të qeverisë, pa u tharë ende boja e vendimit të Kushtetueses, prokurori në fjalë i kërkon Kuvendit, autorizimin për të arrestuar zv.kryeministren – me burg ose në shtëpi.
Që arrestet pa gjyq, në daç në shtëpi e në daç me burg, janë bërë një modë e vrazhdë në Shqipëri, e që Shqipëria është bërë një vend me më shumë të paraburgosur se sa të burgosur – një fakt i turpshëm pa asnjë lidhje me standartet demokratike europiane – gjë që ka shqetësuar seriozisht edhe Këshillin e Europës, kjo dihet botërisht.
Por sigurisht që në rastin në fjalë, ne s’mund dhe s’do ta paragjykojmë kërkesën e prokurorit special, por duke qenë se ndryshe nga proceset e tjera, ku ne si rregull s’flasim për përmbajtjen e çështjeve, këtë herë na kërkohet të japim opinionin tonë, ne do të angazhohemi me të gjithë përgjegjësinë tonë përpara shqiptarëve që na dhanë 83 mandate, e do të përgatitemi për të mbajtur një qëndrim të drejtë, të qartë e të denjë, si forca udhëheqëse e vendit dhe e Reformës në Drejtësi.