SPAK, me rikthimin në qeli të Alqi Bllakos, ka kthyer edhe njëherë vëmendjen nga një ndër aferat më të mëdha shtetërore me firmë anëtarë të qeverisë.
Edhe pse SPAK ende nuk i ka përfshirë firmosësit e aferave në dosjet e tre inceneratorëve, dy ditë më parë bëri me dije se dy ministritë përgjegjëse kishin firmosur për kalimin e miliona eurove në një shoqëri që vetë SPAK pretendonte se e ka sekuestruar që në muajin mars të këtij viti. Kalimet e parave mësohet se janë kryer deri në muajin qershor, ndërsa SPAK urdhëroi ndalimin dhe arrestimin e disa personave, të cilët gjenden si administratorë shoqërish që janë përdorur për përvetësimin e miliona eurove.
Mirëpo, ditën e djeshme, është bërë me dije se në fakt, për Bllakon, ashtu siç edhe pritej të nisin hetime shtesë që lidhen me inceneratorin e Elbasanit, duke përdorur të njëjtën skemë siç u përdor për mbajtjen ne qeli të Lefter Kokës, ish-ministrit dhe ish-vartësit të Bllakos. Në dosjen që pritet të bëhet publike së shpejti, grupi hetimor pretendon që ka gjetur emaile komprometuese të Bllakos me Mirel Mërtirin, korrespondenca në fakt të kryera nëpërmjet Stela Gugalljas. Mërtiri, Gugallja dhe Klodian Zoto nuk janë vënë ende para drejtësisë, edhe pse për këtë të fundit u bë me dije disa herë që ai ishte parë nëpër ambiente të ndryshme në Shqipëri, teksa SPAK pretendonte se kishte lëshuar urdhërarrest për të.
PROVAT PËR ELBASANIN
Sipas të dhënave nga Prokuroria e Posaçme bëhet me dije se janë gjetur prova të reja për skandalin e inceneratorëve. Në dosjen që flet për episodin e Elbasanit, të dorëzuar në Gjykatë, thuhet se në kompjuterin e ish-sekretarit të Ministrisë së Mjedisit, janë gjetur emaile dhe komunikime direkte me bosët e inceneratorëve. SPAK duket se ka hasur në gjurmë aferash edhe inceneratorin e Tiranës, duke vendosur nën akuzë deri tani vetëm ish-administratoren e tij, e cila gjatë dëshmive të dhëna më herët ka dhënë emra dhe fakte që SPAK nuk i ka përfshirë në njoftimet për media.
Sipas informacioneve, bëhet e ditur se grupi hetimor ka gjetur në kompjuterin e ish-deputetit socialist Alqi Blloko emaile dhe komunikime direkte mes tij dhe pronarëve të kompanive të inceneratorëve. Ky fakt evidentohet në dosjen e SPAK të dorëzuar në Gjykatë për inceneratorin e Elbasanit, ku nën akuzë është vendosur edhe Bllako, i akuzuar deri tani vetëm për incineratorin e Fierit. Bllako dhe avokati i tij mbrojtës janë njohur me materialet që Prokuroria e Posaçme ka në adresë të tij, sa i takon përfshirjes edhe në inceneratorin e Elbasanit. Për hetuesit është konsideruar provë për ngritjen e akuzës shtesë gjetja e e-mailet në postën e tij private, duke bërë të mundur kështu edhe justifikimin e kthimit të tij në qeli pas një muaji liri.
SHKËMBIMI I EMAIL-EVE
SPAK pretendon se emailet, të cilat konsiderohen komprometuese janë nga adresa e tij private dhe kanë të bëjnë me procedurat e ndjekura për koncesionin e djegësit të Elbasanit. Sipas informacioneve të gjetura në kompjuterin e Bllakos, pas arrestimit të tij, rezulton se ai ka komunikuar me një prej pronarëve te kompanisë që kishte fituar tenderin për ndërtimin e incenaratorit të Elbasanit, Mirel Mërtirin, i cili deri në këto momente nuk kishte dalë vetë në skenë, por kishte përdorur bashkëjetuesen e tij, Stela Gugallja. Ashtu edhe si ish-ministri Lefter Koka edhe Bllako akuzohet për të dy inceneratorët. Ndërkohë, 5 nga 11 të proceduarit e rinj për inceneratorin e Fierit pritet të dalin ditën e sotme para Gjykatës për t’u verifikuar masa e sigurisë.
SPAK kërkon paratë që kaluan nga një incenerator te tjetri
Në njoftimin për shtyp të së mërkurës, Struktura e Posaçme bëri me dije se mes personave që do të vihen në pranga për skandalet e inceneratorëve janë edhe dy persona që nuk lidheshin as me Fierin dhe as me Elbasanin. Bëhej fjalë për një shtetas italian dhe për Arjola Kodrën, që asnjëri në fakt nuk u gjendën të vihen në pranga. Kështu, mes emrave për të cilët Prokuroria ka kërkuar masën “arrest me burg” janë edhe dy persona që kanë lidhje edhe me inceneratorin e Tiranës. Urdhrat për administratoren Arjola Kodra dhe shtetasin italian Giuseppe Ciaffaglione nuk u shpjeguan nga njoftimi i Prokurorisë për rolet e tyre konkrete ashtu siç në fakt ishin shpjeguar rolet e të tjerëve, kryesisht të Arben Dervishajt, zyrtarit të lartë të FSHF-së që u vu në pranga si lidhje e afërt e Klodian Zotos.
Mirëpo, sipas të dhënave jo zyrtare, bëhet me dije se një sasi e parave që janë vërtetuar si pagesa për inceneratorin e Fierit të kenë qenë të llogaritura për inceneratorin e Tiranës dhe SPAK po heton për të mësuar se si është bërë devijimi i tyre. Tashmë, Kodra dhe shtetasi italian pritet të arrestohen dhe të dalin para drejtësisë me të njëjtat akuza siç edhe 9 personat e tjerë të arrestuar në kuadër të hetimeve të reja për Fierin, ndërsa ende SPAK nuk ka bërë me dije se si është e mundur të operonte shoqëria e vënë nën sekuestro prej tyre. Ndërkohë që për sa iu përket disa personave të moshuar dhe një të gruaje që kishte ndërruar jetë që dolën me llogari miliona euroshe, SPAK ende nuk ka treguar nëse ka nisur hetime apo jo.

