Olsi Dado i është shtuar trupës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Ai është kompanduar si prokuror pranë SPAK duke u bërë prokurori i 18 që i bashkohet kësaj strukture.
Emërimi i tij është bërë me kërkesë të kreut të SPAK, Altin Dumani nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Dado më herët ka mbajtur detyrën e drejtorit të Marrëdhënieve me Jashtë dhe Ekstradimeve në Prokurorinë e Përgjithshme.
Njoftimi:
Këshilli i Lartë i Prokurorisë në mbledhjen plenare të datës 06.03.2023, kishte parashikuar në pikën e 17 të rendit të ditës diskutimin/miratimin e relacionit si më poshtë: “Për ndërprerjen e komandimit të prokurorit Ols Dado në Prokurorinë e Përgjithshme dhe dhënien e opinionit për transferimin e tij në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.” Në këtë mbledhje plenare u miratua bazuar në legjislacionin në fuqi dhe kërkesën e paraqitur nga prokurori Ols Dado, Vendimi Nr.60 “Për përfundimin e kohëzgjatjes së komandimit”, për zotin Ols Dado, para afatit të miratuar me Vendimin e KLP-së Nr.8, datë 20.01.2020, dhe kthimin e tij në detyrën e prokurorit në Prokurinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë. Në po të njëjtën seancë pas adresimit të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, KLP-ja vendosi unanimisht të japë opinionin pozitiv për transferimin e përkohshëm të zotit Ols Dado pranë kësaj strukture.

