Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, ka ankimuar vendimin e Gjykatës së Posaçme të datës 16 shtator 2022 që shpalli të pafajshme anëtaren e KPK-së, Etleda Çiftja. Edhe pse kërkesa e tyre u rrëzua në shkallën e parë, sërish SPAK kërkon që gjyqtarja të shpallet e fajtore për akuzën e falsifikimit të dokumenteve dhe të fshehjes së pasurisë.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar (SPAK) ka kërkuar dënim me 1 vit burg Për akuzat që ishin ngritur nga anëtares së KPK-së, por gjyqtari Erion Bani i GJKKO nuk ka gjetur vepër penale me argumentin se fakti penal nuk ekziston dhe u shpreh se duhet të ishte SPAK në fakt institucioni që duhet të kërkonte pushimin e çështjes që në seancë paraprake. Ndaj dhe pushoi çështjen.

Vetë anëtarja e KPK-së, doli para gazetarëve dhe tha se qëllimi i vërtetë i këtij sulmi ka qenë reforma në drejtësi dhe jo ajo vetë. Çiftja u shpreh se SPAK që kërkoi burg për të, duhet të tregojë se është në lartësinë e Reformës për të cilën u krijuar, por shtoi se do të ulej ta lexonte edhe njëherë arsyetimin e vendimit të gjykatës.

Çiftja është anëtarja e tretë e institucioneve të vetingut që procedohet penalisht dhe merret e pandehur nga SPAK. Anëtarja e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit Etleda Çiftja u mor e pandehur nga Prokuroria e Posaçme, SPAK, ndërsa u hetua për dy akuza, atë të deklarimit të rremë dhe fshehjes së pasurisë, si dhe për falsifikimin dokumentesh. Çiftja u akuzua se ka bërë deklarim të rremë për blerjen e apartamentit të banimit, te dy parcelave tokë arë me sip 1450 m2 dhe me sip 3440 m2, mënyrën e fitimit të pronësisë për dy sipërfaqet e tokave arë si dhe në lidhje me qëllimin e marrjes së një kredie.

