Një nga zërat më profesional në fushën e kibernetikës, i cili prej kohësh ka qenë në vijën e parë të qortimit të punës së AKSHI-t për sulmet kundër të dhënave tona, dje ka shkuar në SPAK.
Ai në fakt e kishte paralajmëruar prej ditësh që do të kryente një kallëzim penal për shpërdorim detyre për zyrtarët e AKSHI-t, pikërisht të atyre personave që kishin për detyrë ruajtjen nga sulmet kibernetike të të gjithë sistemit. Por, ajo që nisi që në vitin 2021 dhe kulmoi vitin e kaluar, bëri që të dhënat tona, madje edhe ato më sensitivet të dalin në duart e një grupi hakëruesish që pretendohet se janë iranianë.
Sulmi që është motivuar me mbështetjen që shteti shqiptar iu ka dhënë eksponentëve të opozitës iraniane, duke i strehuar në Manzë, sulmoi thuajse gjithçka që kishte të bënte me sistemet tona online. Madje, për javë me radhë ata morën edhe sistemin TIMS, të dhëna kriminelësh e punonjësish policie, e deri te dokumente të klasifikuar dhe nxorën edhe email-e sekrete të funksionarëve të lartë të Policisë dhe të qeverisë.
PADIA
Eksperti i IT-së, Gent Progni, ka depozituar një kallëzim penal në SPAK për sulmin kibernetik që goditi Shqipërinë pak muaj më parë. Ai ka akuzuar zyrtarët e AKSHI-t si fajtorë për dëmtimin e të dhënave masive të qytetarëve shqiptarë, si pasojë e mosndarjes së serverëve. Sipas Prognit, aksesi i hakerave në një server të vetëm u ka krijuar atyre mundësinë e marrjes së të gjitha të dhënave.
Një padi e re është dorëzuar në Prokurorinë e Tiranës dhe në SPAK për sulmin kibernetik ndaj Shqipërisë, pasojat e të cilit u bënë publike nga korriku 2022 e në vazhdim. Hakerat vijojnë të kërcënojnë herë pas here me të dhëna gjithfarësh të shqiptarëve, aq sa më herët, në vitin që lamë pas ata morën edhe numrat e telefonave të të gjithë shqiptarëve dhe i nxorën në shitje online.
DËSHMIA E KALLËZUESIT PËR MEDIAT
Gent Progni në dalje nga Prokuroria ka bërë me dije se: “Ne kemi kallëzuar për shpërdorim detyre të zyrtarëve të lartë. Kemi referuar për këtë kallëzim nene të ndryshme për mosruajtjen e të dhënave tona publike dhe cenimin e sigurisë kombëtare”. Eksperti i IT-së, Gent Progni, tha se Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka shkelur detyrimet ligjore sipas standardit “ISO 27001”, çka u ka krijuar mundësi hakerave që të vjedhin të gjitha të dhënat pasi kanë sulmuar një server të vetëm.
Sipas Prognit, kjo është e vërtetuar nga videot e publikuara nga hakerat në “Telegram”, ku tregohet shumë qartë që këta serverë nuk kanë qenë të sekretuara. “Kjo ka ndihmuar në hakerimin e të gjithë të dhënave tona, pra kalimin nga një server në të gjithë serverët që administrohen nga AKSHI. Kjo është bërë me dashje apo pa dashje, pasi nuk jemi ne në pozitën ta themi sot, sepse kemi një terr shumë të madh informacioni, por kjo vërtetohet normalisht dhe saktësisht nga videoja e hakerave iranianë dhe kjo ka ndihmuar edhe në mbledhjen e të dhënave”. Autori i denoncimit tha se specialistët e fushës po mbledhin të dhëna dhe do të vazhdojnë të denoncojnë mosveprimet e zyrtarëve, të cilat kanë sjellë si pasojë, vjedhjen dhe cenimin e të dhënave personale të qytetarëve shqiptarë.
Nga të dhënat që ka publikuar në llogarinë e tij në rrjetet sociale eksperti i IT-së ka treguar se në fakt ka mundur të depozitojë në dosjen e kallëzimit të gjitha faktet dhe provat e mjaftueshme që Struktura e Posaçme e Kundër Krimit dhe Korrupsionit të nis punën për të hetuar pretendimet e ekspertit. Me rastin e sulmeve gjunjëzuese që i dhanë sistemit hakerat në një hark kohor prej më shumë se një viti, Progni bëhet i pari ekspert që ndërmerr hap konkret për të njohur SPAK-un me të gjitha shkeljet e personave që janë paguar për të ruajtur të dhënat tona.

