Sulmet kibernetike nga Irani dhe të ashtuquajtur “Homeland Justice” janë kthyer në kryefjalën e zhvillimeve në vend.
Prokuroria e Tiranës ka dhënë detaje në lidhje me hetimet që po kryhen për sulmet kibernetike që Irani ka kryer ndaj sistemeve shtetërore online në vendin tonë.
Po ashtu, Prokuroria bën me dije se sulmi ndaj sistemit TIMS që menazhohet nga ministria e Brendshme dhe sulmi kibernetik ndaj institucionit shtetëror të AKSHI-it që përmbledh gjithë faqet zyrtare qeveritare Shqipëri, po hetohen bashkë.
Në sistemet ku ka ndodhur sulmi, është evidentuar një profil në dy rrjete sociale të ndryshme me qendër jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, që i përkiste autoreve dhe bashkëpunëtorëve të këtij sulmi.

Pas Prokurorisë së Tiranës, edhe AMA i ka kërkuar mediave që të tregojnë maturi dhe përgjegjësi profesionale dhe të mos publikojnë të dhënat që janë siguruar nga grupi i hakerave iranianë në sulmin kibernetik në faqet e institucioneve publike.
AMA bëri apel që të mos bëhen publike përmbajtje të tjera në mënyrë që të mos dekonspirohet hetimi.

