Shqipëria ndërpret marrëdhëniet me Iranin.
Shqipëria ka ndërprerë marrëdhëniet me Iranin. Vendimi u bë publik këtë të mërkurë (7 Shtator 2022) nga Kryeministri Edi Rama. Kreu i qeverisë sqaroi në një videomesazh se Republika Islamike e Iranit fshihet pas sulmit kibernetik në e-Albania.
“Këshilli i Ministrave, ka vendosur me efekt të menjëhershëm ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Republikën Islamike të Iranit. Në bashkëpunim me agjenci të specializuara partnere të anti-terrorit digjital, të cilat sollën në Tiranë skuadrat e tyre, u arrit të zbulohej fillimisht, pa asnjë hije dyshimi, se sulmi i 15 Korrikut mbi Shqipërinë nuk ishte një operacion individësh apo grupesh të pavarura në botën e krimit të organizuar kibernetik, por një agresion shtetëror. Hetimi i thelluar na vuri në dispozicion prova të pakundërshtueshme, se agresioni kibernetik ndaj vendit tonë është orkestruar dhe sponsorizuar nga Republika Islamike e Iranit, e cila ka angazhuar katër grupe për sulmin ndaj Shqipërisë”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë shtoi se vendimi i Këshillit të Ministrave i është bërë me dije me notë zyrtare Ambasadës së Iranit në vendin tonë dhe brenda 24 orësh kërkohet largimi i gjithë stafit të tyre nga territori i Republikës së Shqipërisë.

Mes grupeve të përfshira në sulm është edhe një ndër grupet më famëkeqe, shtoi Rama, të terrorizimit kibernetik ndërkombëtar që ka kryer sulme si autor apo bashkautor në Izrael, Arabi Saudite, Jordani, Emiratet e Bashkuara, Kuvajt dhe Qipro.
Sa i përket sulmit kibernetik, Rama tha se dëmet janë të vogla, ndërsa sistemet u rivunë në punë dhe nuk u zhduk asnjë e dhënë.

