Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka kërkuar anullimin e rritjes së akcizës së birrës dhe verës, pasi sipas tij kjo çon në rritjen e papunësisë dhe është në kundërshtim me direktivat e Bashkimit Europian.
Meta tregoi një sërë propozimesh që do të bëjë Partia e Lirisë, duke nisur që nga rritja e pensioneve, pasi sipas tij rritja e këtij viti ishte qesharake, te rritja e pagave të pedagogëve dhe mësuesve, heqje e TVSH-së për imputet bujqësore, etj.
Mes të tjerash Meta tha se do të kërkojnë edhe subvencionimin e studentëve me 100 euro në muaj në mënyrë që të përballojnë krizën.
“Rritja e çmimeve ka vijuar të jetë e lartë dhe do të jetë edhe më e lartë. Rritja e pensioneve është mëse qesharake, një rritje prej 0,7 %, as një kafe në ditë. Familjet e varfra janë zhytur më thellë në varfëri. Po kështu buxheti i Ministrisë së Arsimit është ulur nga 2.2 që ishte vitin e kaluar, në 2.1 të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Në kërkojmë anullimin e rritjes së akcizës së verës dhe birrës, pasi rrit papunësinë. Kjo rritje e akcizës bien në kundërshim edhe me direktivat e bashkimit Europian. Kërkojmë mos rritjen e barës fiskale në këtë periudhë pasi rëndon mbi bizneset dhe qytetarët. Njëkohësisht anullimi i amendamentit për vendosjen e gjobave 10 fish, pasi është në kundërshtim me parimin e proporcionalitetit. Mbështetje financiare për studentët me 100 euro në muaj, aq sa marrin edhe bashkëmoshatarët e tyre në Kosovë. Mbështetje për kërkimin shkencor, Pasi është parashikuar një nivel i papërfillshëm prej 0,05 %. Do të kërkojmë rritje të pagës për pedagogët dhe mësuesit. Do të kërkojmë pajisje me librat falas për nxënësit. Heqje të TVSH për imputet bujqësore”, u shpreh Meta.

