Arrestimi i 6 personave dhe shpallja në kërkim e 2 të tjerëvë të shtunën e 16 qershorit kaloi pa u vënë re dhe pa bujën që do duhet të merrte një operacion antidrogë veçanërisht për faktin e përfshirjes në të, të personazheve me background të mëparshëm kriminal por dhe për shkak të pozitave politike që përfaqësonin dhe përfaqësojnë familjarët e tyre në zonat e Lezhës dhe Shkodrës.

Në atë kohë policia dhe prokuroria në dy deklarata të ndryshme bënë me dije se në aksin rrugor Shkodër – Lezhë – Milot autorët po kryenin shkëmbimin e 200 kg hashash me 40 000 euro dhe në momentin që është ndërhyrë nga Forcat e Policisë të mbërritura nga Tirana ata kanë goditur 2 prej makinave të Policisë duke vënë në rrezik jetën e policëve.

Institucionet thanë emrat e të arrestuarve: Ardit Haxhagiqi, 34 vjeç banues në Shkodër; Ramadan Dushaj, 61 vjeç, banues në Shkodër;Fatbardh Gostini, 37 vjeç, banues në Lezhë; Vilson Ndoka (Nokaj), 26 vjeç banues në Lezhë; Rezart Cacani, 34 vjeç, banues në Shkodër; Neritan Saraçi, 51 vjeç, banues në Shkodër, duke ruajtur me iniciale emrat e dy të tjerëve të shpallur në kërkim S.N. 20 vjec, F.M. 30 vjec

Samuel Ndoka ne varrimin e te atit i shoqeruar nga policia

Por asgjë nuk u tha as nga Prokuroria as nga Policia për të shkuarën kriminale dhe atë që përfaqësonin personat e arrestuar dhe ata të shpallur në kërkim duke u kujdesur dhe 2 ditë më vonë gjatë seancës për vlerësimin e masës së sigurisë që të mos publikohej asgjë.

Pas interesimit zyrtarisht në dy institucionet ligjzbatuese dhe hulumtimit të mëtejshëm sosnews ka mësuar detaje të pathëna rreth operacionit.
26 vjeçari i arrestuar Vilson Ndoka rezulton të jetë djali i djalit të xhaxhait të ish-deputetit të parlamentit Arben Ndoka. Për të shpallurin në kërkim me inicialet S.N zyrtarisht mësohet se bëhet fjalë për Samuel Ndoka 20 vjeç djali i vëllait të ish deputetit Ndoka. Babai i tij Aleksandër Ndoka mbeti i vrarë me 9 dhjetor2017 në një atentat mafioz në derën e banesës në Lezhë (ngjarje e pazbardhur). Samuel Ndoka kishte vetëm pak ditë që ishte liruar, pas 8 muajsh në burg për akuzën e kanosjes dhe dhunës ndaj aktivistiti të LSI-së Florjan Dushku ditën e zgjedhjeve të 25 Qershorit.

Sipas të dhënave informacioni fillestar ka qenë për shtetasin Ramazan Dushaj i cili premtonte të siguronte kanabis cilësor përkundrejt cmimit prej 200-250 euro/kg.

Gjatë hetimit ka rezultuar se një pjesë e drogës posedohej nga Vilson Ndoka dhe Samuel Ndoka dhe të afërmit e tyre që kishin rënë dakord për shitjen e 200 kg kanabis përkundrejt vlerës së 40 mijë eurove dhe shkëmbimi do bëhej anës rrugës nacionale rreth Shkodër -Lezhë dhe blerësit dyshohet se do e trafikonin drejt Malit të Zi.

Policia arriti të kapte drogën të sekuestronte 2 pistoleta tip TT,20 fishekë pistolete, 1 radio policie, 2 automjete dhe 7 telefona celularë dhe një sasi lekësh. Sasia prej 40 mijë euro në momentin e ndërhyrjes së uniformave blu, dyshohet se posedohej nga shtetasi në kërkim me incialet F.M i cili arriti ti shpëtonte kapjes së policisë sëbashku me Samuel Ndokën.

Po ashtu mësohet se përgjatë kontrolleve të kryera në disa banesa të familjeve të fisit Ndoka në lagjen “Kodërmarlekaj” në Lezhë, policia arriti të gjente dhe një sasi prej 114 kg hashash pranë banesës së të kërkuarit me iniciale F.M dhe një furgon që përdorej për transport.

Ajo që të bën përshtypje është fakti i mbajtjes së fshehtë të evidencave të plota të personave të arrestuar dhe të shpallur në kërkim për drogën e kapur si nga drejtoria e përgjithshme e policisë ashtu dhe nga prokuroria. Pavarësisht interesimit të vazhdueshëm askush nuk i jep përgjigje pyetjeve; Përse nuk u bë me dije emri i Samuel Ndokës si i shpallur në kërkim si i dyshuar për hashashin e kapur gjatë procesit të shitjes ?

Përse nuk u tha se kush ishte dhe çfarë përfaqësonte Vilson Noka dhe e shkuara kriminale në tentativën e vrasjes së një 35 vjeçari sëbashku me vëllain e Samuelit dhe nipin e ish deputetit në vitin 2014 në mes të qytetit të Lezhës? Përse Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit , nuk i besoj drejtorisë vendore të policisë Lezhë dhe Shkodër për zhvillimin e operacionit për kapjen e personave të përfshirë? Kush i bëri presion pas operacionit Policisë dhe Prokurorisë për mos publikimin e të dhënave të plota të operacionit.

Sosnews do mundohet në ditët në vijim, të hedh dritë më shumë për ato që nuk u thanë nga frika, presioni apo tentativa për të thënë vetëm gjysëm të vërtetat rreth këtij operacioni.-sosnews.al

Leave A Reply

Do t`u japim zë të pazëve dhe t`u kërkojmë llogari atyre që nuk e bëjnë. Ne jemi S.O.S !

 

Exit mobile version