Drejtori i Agjencisë së Blerjeve të Përqëndruara, dikur drejtor i Tenderëve në Ministrinë e Bujqësisë kur dikasteri drejtohej nga Bledi Çuçi, Endri Mullai po verifikohet nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Dosja.al ka mësuar se në SPAK janë depozituar disa kallëzime penale për Mullain nga disa firma private që pretendojnë se drejtori kishte abuzuar me dhënien e tenderave.
Por njëra nga shkeljet duket se është edhe më flagrantja nga të gjitha. Endri Mullai në Ministrinë e Brendshme, më 22 maj 2022, dy muaj pas shpalljes në kërkim e sekuestrimit të pasurive të tij, i ka dhënë Gentian Sharrës (i cili akuzohet nga i penduari i dejtësisë Nuredin Dumani për vrasje dhe përfshirje në mega-grabitjen e Rinasit,) tender 2.5 milionë Euro për furnizimin me mish, nëpërmjet subjektit “Olta Sharra”. Subjekti firguron në emër të gruas së tij, e cila edhe më herët kishte marrë tendera për institucione të tjera, si psh. Psikiatrinë e Elbasanit.
Kush është Gentian Sharra?
Gentian Sharra nga Elbasani, i cili akuzohet nga SPAK për 5 grabitje, kryer në bashkëpunim me Talo Çelën dhe me Nuredin Dumanin, bashkëpuntorin e drejtësisë që ka rrëfyer krimet e tmerrshme të 10 viteve të fundit, të 8 grupeve kriminale në Shqipëri. Emri i Gentian Sharrës u bë i njohur për drejtësinë dhe mediat në hetimet e grabitjes së Rinasit. Ai mori me qira asokohe servisin ku u modifikua furgoni që u përdor më pas për grabitjen në aeroport. Nga dosja e SPAK mësohet se Gentian Sharra është akuzuar si organizator dhë bashkëpunëtor i disa grabitjeve të tjera. Por së fundmi ka qenë edhe shumë i përmendur nga politika, pasi shpeshherë kryedemokrati Sali Berisha e bashkangjit emrin e tij me atë të kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla. Megjithatë ky i fundit asnjëherë nuk i ka pranuar akuzat e ngritura nga Berisha kundrejt tij. Aktualisht Sharra është në prangat e Policisë së Shtetit, ndërkohë që i janë sekuestruar 5 milion euro pasuri dhe një vilë në fshatin Katund i Ri./Dosja.al

