Ka kaluar për gjykim, dosja kundër ish-drejtoreshës së Autoritetit Rrugor Shqiptar, Sonila Qato dhe 9 zyrtarëve të tjerë të këtij institucioni. Vendimi është marrë gjatë shqyrtimit të rastit në seancën paraprake, ku gjyqtari Erjon Bani, ka miratuar veprimet hetimore të Elvin Gokaj, përfaqësuesit të prokurorisë, duke vendosur kalimin për gjykim të 10 të pandehurve të kësaj dosje penale që mban nr. 175.
‘Oranews’ raporton se ish-drejtoresha e ARRSH-së Sonila Qato, gjatë seancës paraprake të gjykimit kërkoi pushimin e dosjes, pasi sipas saj nuk ekziston asnjë element penal që faktonte “Shpërdorimin e detyrës” prej saj. Katër nga të pandehurit, përfshirë këtu Sonila Qaton hynë me gjykim të zakonshëm, duke pretenduar ti nënshtrohet një procesi gjyqësor që do zhvillohet fletë pas flete në dosjen penale.
Nga 10 të pandehurit, 6 prej tyre do të gjykohen me procedurën e gjykimit të shkurtuar, që do të thotë se se nëse shpallen fajtorë atyre u ulet 1/3 e dënimit. Sonila Qato ka vendosur të kërkojë pafajësinë nga Gjykata dhe ka zgjedhur që të gjykohet me gjykim të zakonshëm sëbashku me 3 të pandehur të tjerë.
Prokuroria e Posaçme ka gjetur elementë të veprës penale ‘shpërdorim detyre’, ‘shkeljes së barazisë në tendera, “falsifikim i dokumentave” dhe “korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

