Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike kërkojnë që të mblidhet Komisioni i Sigurisë dhe të zhvillohet seancë dëgjimore me drejtuesen e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni. Me anë të një shkrese zyrtarë, deputetët e opozitës kërkojnë nga Vlora Hyseni që të japë sqarime lidhur me pozicionin e Shqipërisë për atë që po ndodh në veri të Kosovës. Seanca dëgjimore me Vlora Hysenin pritet të mbahet të hënën kur në Komisionin e Sigurisë Kombëtare do të paraqitet edhe raporti për vitin 2022 i Shërbimit Informativ Shtetëror.

Kërkesa është përpiluar nga deputeti Ferdinand Xhaferraj teksa është mbështetur nga të gjithë deputetët e opozitës në Komision, me përjashtim të Enkelejd Alibeajt, i cili nuk ka firmosur.
Raportimi i saj sot para deputetëve të opozitës, do të jetë i pari i Vlora Hysenit që prej marrjes zyrtarisht të detyrës në krye të SHISH në prill të 2023 dhe reagimi i parë i institucionit më të lartë të sigurisë në vend për çështjen e veriut të Kosovës; ndërkohë që më pas do të merret edhe në “pyetje” nga deputetët. Në kulmin e tensioneve në Veri të Kosovës, kryedemokrati Sali Berisha pretendoi se Hyseni kishte shkuar në Beograd për të zhvilluar një takim me agjensitë “simotra”, por lajmi u kundërshtua nga kryeministri Edi Rama.

