Fabrikat e përpunimit të qumështit në Shqipëri janë ‘tërhequr’ nga rritja e çmimeve, vetëm pak ditë pasi Autoriteti i Konkurrencës paralajmëroi se kishte nisur hetimet për këtë gjë. Shoqata e fabrikave të qumështit thotë se për nënproduktet e qumështit të lopës nuk do të ketë asnjë rritje çmimi.
Përfaqësuesi, në deklaratën zyrtare, është shprehur se është vetëm një fabrikë ajo që ka vendosur të rrisë çmimet dhe për produktet me qumësht deleje dhe dhie, jo ato të lopës.
“Është vetëm një kompani, që është anëtare e shoqatës sonë, e cila ka lajmëruar për rritje të çmimeve, vetëm për produktet me qumësht dele dhe dhie. Edhe kjo kompani, e gjendur në një situatë shumë të vështirë të kostove të operimit, është ndikuar nga kostot e shtuara në grumbullimin dhe përpunimin e lendës së parë për qumështin e deles dhe dhisë. Ky është një treg i lirë dhe asnjë operator nuk ka mundësi të vendosi për çmimet,”- thuhet në deklaratë.
Autoriteti i Konkurrencës bëri me dije dy ditë më parë se kishte vendosur tregun nën monitorim për shkak të informacioneve që shumë shpejt do të ketë rritje çmimesh. Rritja e çmimeve varionte nga 8% deri në 38 %, një kosto mjaft e lartë dhe gati e papërballueshme për konsumatorët.

