E ëma e Martina Pajollarit, ka mohuar akuzat se e bija është e përfshirë në vrasjen e Martin Çeços, duke pretenduar se policia i ka kërcënuar për të dhënë deklaratat dhe se kanë ushtruar dhunë ndaj 18-vjeçares.
Miranda Pajollari deklaroi për mediat se 18-vjeçarja, si edhe tre të arrestuarit e tjerë janë të pafajshëm, duke pretenduar se mes Tinës dhe Valter Mollajt, nuk ka pasur lidhje intime.

Ajo tregoi se Valter Mollaj e ndihmonte atë dhe familjen e saj, dhe se Martina është në moshën e vajzës së tij.
Ndërsa tregoi se 18-vjeçarja është martuar dy javë më parë dhe dhëndrin e kanë në shtëpi.
Miranda Pajollari: “Martin Çeço i bëri festë, çupa nuk e pranoi, se çfarë na futën në këto ngatërresa. Dhe firmën që e hodhëm, pa shkollë jam, pa gjë. Firmë kot hodha. Nuk ka bërë gjë hiç, është e pafajshme, në polici na kërcënonin, na bënin.
Erdhën na morën në 12:00 të natës, çupën e goditën, e rrihnin. Jemi të pafajshëm, ne dhe ata djemtë, na kanë ndihmuar, me bukë e ushqime.
Janë shumë të pafajshëm, ata dhe çupa ime, nuk kanë bërë gjë. E kanë marrë një natë, e çuan tek vendi i krimit, ne nuk e dinim vendin. Qante, bërtiste çupa, nga kërcënimet i thoshte ato. Ne na ndihmonin për ushqimet se kam 4 fëmijë, për çdo gjë, ata e morën për tjetër, thanë që Tina kishte të dashur Valter Mollajn. Ka vajzën sa çupa ime. Burri e kërkon vajzën.
Gjykata të më japë çupën, ta nxjerrin, jemi të pafajshëm, kot na kanë rënë në qafë. Na kërcënonin, na kanë mbajtur dy ditë atje.
Tina është e martuar, e ka dhëndrin këtu. Ka dy javë çupa që është martuar. Ka ardhur këtu, ka bagëtitë në fshat, ngeli këtej dhëndri. Ky është në Vlorë.”

