Numri i viktimave pas përplasjes së dy trenave në Greqi ka shkuar në 57. Bilanci është rënduar këtë mëngjes, me gjetjen e një tjetër trupi të pajetë. Kërkimet vijojnë ende.
Treni me 350 udhtarë u fut në shinat e gabuara dhe u përplas me një tren mallrash, përplasja bëri që vagonat e parë të trenit të shpërthenin në flakë. Si pasojë, 57 persona kanë humbur jetën, mes tyre dhe një 20-vjeçare shqiptare. Ndërsa 85 të tjerë janë në spital dhe po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore.
Deri më tani Ministria e Punëve të Jashtme ka konfirmuar se 5 shqiptarë janë në mesin e të plagosurve, të cilet ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa, tetë shqiptarë të tjerë që ndodheshin gjithashtu në tren, i kanë mbijetuar aksidentit dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore. Më shumë se një duket se kanë qenë gabimet e stacionistit të Larisës që shkaktuan përplasjen e trenave në Tempi mbrëmjen e së martës, ku deri më tani raportohet se kanë ndërruar jetë 47 persona.
Konsulenti i menaxhimit të OSE, Pavlos Terezakis shpjegoi se stacionisti pa për 5.5 km trenin e pasagjerëve që lëvizte në drejtimin e gabuar, në zbritje drejt Athinës në vend të ngjitjes për në Selanik. Më konkretisht, pas sinjalit fatal që i dha inxhinierit të trenit ‘Intercity 62’, stacionisti duket se sipas asaj që tha drejtuesi i OSE-së, nuk ka përdorur aftësitë teknologjike që kishte në rregull për të ndaluar trenin në kohë.

