Pas 7 orësh, Gjykata e Apelit dha vendimin për çështjen e vulës së Partisë Demokratike. •Sipas vendimit, Apeli ka vendosur të rikthejë në gjykatën e Shkallës së Parë çështjen për rigjykim por me një trupë tjetër gjykuese.
Në këtë formë, Apeli ka vendosur të pranojë ankimimin e Enkelejd Alibeajt, duke zhbërë vendimin e Agron Zhukrit. Duke zhbërë këtë vendim, Lulzim Basha vijon të figurojë si kryetar i Partisë Demokratike. Përfaqësuesi i grupit të Alibeajt, Indrit Sefa deklaroi se PD do të vazhdojë të drejtohet nga organet legjitime të saj, e se të hënën do regjistrohet në KQZ.
Që prej nisjes së seancës, PD kërkoi përmes Ivi Kasos që gjykata mos ta merrte parasysh ankimimin e Alibeajt, pasi PD nuk e njeh si palë. Por kjo kërkesë nuk u pranua nga Dhoma e Këshillimit. Në një vendim të ndërmjetëm, gjykata vendosi të vazhdojë gjykimin në themel me të dyja palët, dhe deklaroi se për kërkesën e Kasos do të shprehet në fund.
Vendimi i gjyqtarit Agron Zhukri i dha vulën e selinë blu kryedemokratit Sali Berisha. Një ditë më parë, Berisha u shpreh se ka besim, ndërsa deputeti Enkelejd Alibeaj ka thënë më herët se do të pranojë çdo vendim të gjykatës.

