Joana Duro, sekretarja e Ministrisë së Shëndetësisë e arrestuar një ditë më parë me urdhër nga SPAK për përfshirjen në tendera, nuk është emër i panjohur për mediat.
Pak kohë më parë, Duro është gjobitur nga kryekomisioneri i KQZ-së, Ilirjan Celibashi pasi ajo kishte shkelur kodin zgjedhor, duke përdorur faqen zyrtare të institucionit në Facebook, për shpërndaje të sloganeve politike të Partisë Socialiste.
Në njoftimin e KQZ-së, thuhej:
KAS pranoi pjesërisht kërkesën nr.30 dhe vendosi pushimin e procedimit administrativ ndaj z. Enea Hoti, person përgjegjës në Ministrinë e Brendshme, si dhe vendosi sanksionin administrative, gjobë në masën 3.000 lekë ndaj:
1. zj. Joana Duro, person përgjegjës në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale;
2. zj. Risena Xhaja, person përgjegjës në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë
3. zj. Edlira Zyfi, person përgjegjës pranë Ministrit të Shtetit për Standardet e Shërbimeve;
4. z. Gazmend Turdiu, person përgjegjës në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë, Joana Duro u arrestua me urdhër të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), nën akuzën për korrupsion dhe ryshfet dhe bashkë me të edhe një tjetër punonjëse e Ministrisë së Shëndetësisë, Laureta Sheto ka rënë në pranga për të njëjtën akuzë. Dy zyrtaret e Shëndetësisë kanë qenë në përgjim dhe janë arrestuar në flagrancë mbrëmjen e sotme. Dyshohet dy të arrestuarat kanë abuzuar me një tender me vlerë 2 milionë lekë, ndërkohë Prokuroria e Posaçme ende nuk ka dalë me njoftim zyrtar për rastin.
Për arrestimin e saj, reagoi edhe kryeministri Edi Rama. Në turin e tij të falënderimeve në Tiranë, ai tha:
“Pak më parë dëgjova një lajm. Një sekretare e përgjithshme që kapet në flagrancë duke marrë lekë. Si mund të ndodh. Ana e pëlqyeshme e medaljeve është ajo që kapet një zyrtar që nuk është i vendosur që të qëndrojë në një shtet. Uroj që të ketë më shumë të tilla, por nuk uroj që sa më shumë njerëz të bëjnë të tillë. Mungesa e ndjeshme e patriotizmit, detyrave, etikës, në pikën që është një detyrë e rëndësishme të biesh në këtë nivel, është e tmerrshme”

