Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shpallur moskompetencë për ish-prokurorin e Vlorës Maksim Sota, ish-shefin e sektoreve kundër trafiqeve në Vlorë Ilirjan Ballën dhe ish-oficerin Artur Krasniqi. Të tre këta persona janë arrestuar gjatë operacionit ‘Shpirti’ në 2021 dhe akuzohen për shpërdorim detyre. Pasi GJKKO shpalli moskompetencë, çështja pritet që t’i kalojë gjykatës së Durrësit për gjykim.
Prokurori Sota u arrestua me urdhër të SPAK, në kuadër të operacionit “Shpirti”, ndërsa është lënë në “arrest shtëpie”. Ai akuzohet si i përfshirë në rrjetin e trafikut të drogës Shqipëri-Itali. Sipas SPAK, në bazë të hetimit, rezulton se prokurori ka jetuar në një shtëpi me një të dënuar për trafik droge, apartament që qiraja paguhej nga një tjetër trafikant, edhe ai i arrestuar tashmë në operacionin “Shpirti”. Prokurori akuzohet për shpërdorim detyre dhe do të qëndrojë në masën e “pezullimit” nga detyra deri në përfundimin e gjykimit.

