Një ngjarje e ndodhur dy vite më parë në një zonë të njohur të Mamurrasit, si një ndër zonat më problematike të asaj qyteze, ka sjellë rast të veçantë nga sistemi i drejtësisë.
Një i shumëakuzuar, i hetuar dhe më pas i dënuar për një atentat që thuhet se dështoi në periferi të kësaj qyteze, ka mundur të bindë Gjykatë e Apelit në Tiranë se ai është i pafajshëm dhe nuk kishte kryer kurrë asnjë atentat kundër ndonjë personi. Në fakt, edhe kur u arrestua nga Policia, edhe kur doli në Gjykatë, edhe ku iu dha vendimi, ai mohoi të kishte qëlluar me breshëri kallashnikovi mbi mjetin luksoz të Kevin Shabanit, një të riu nga Mamurrasi.

Po ndërkohë që Gjykata e Kurbinit e përgjysmoi kërkesën e prokurorit për dënimin e këtij personi, Prokuroria e apeloi vendimin. Po ashtu, edhe i pandehuri i dënuar sipas tij, pa faj kërkoi të prishej vendimi i Shkallës së Parë, pasi ai ishte i pafajshëm dhe se nuk kishte marrë pjesë në atë ngjarje për të cilën akuzohet prej me shumë se dy vitesh. Dhe në fakt ashtu ndodhi. Apeli i Tiranës i dha pafajësi Nokës, duke e bërë vendimin edhe publik për mediat.
SHQYRTIMET
Gjykata e Apelit në Tiranë ka shpallur të pafajshëm Bardhok Nokën, i akuzuar si personi që tentoi të vriste Kevin Shabanin. Gjykata e Apelit vendosi ndryshimin e vendimit nr. 628-74, datë 10.5.2021 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kurbin. Ata shpallën të pafajshëm Nokën për veprat penale të “vrasjes me dashje” të mbetur në tentativë parashikuar nga nenet 76 dhe 22 të Kodit Penal, si dhe “mbajtjes pa leje të armëve”.
Më 10 maj 2021, Gjykata e Kurbinit, vendosi dënimin me 7 vite për Nokën. Ky vendim u ankimua nga Prokuroria, e cila kërkoi për Nokën 14 vite burg. Gjatë gjithë këtyre viteve Noka pretendoi pafajësinë. Noka akuzohet se ka tentuar të vrasë Shabanin më 28 prill të vitit 2020. Në aksin rrugor, MamurrasUra e Drojës, në dalje të qytetit të Mamurrasit, Noka dyshohet se qëlloi me armë drejt makinës së Shabanit.
Njoftimi i Gjykatës së Apelit:
Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kurbin u zhvillua gjykimi lidhur me çështjen penale që i përket të pandehurit Bardhok Noka, i akuzuar për kryerjen e veprave penale të “Vrasje me dashje”, mbetur në tentativë, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të parashikuar nga nenet 76, 22 dhe 278të Kodit Penal. Fakti objekt-akuze lidhet me ngjarjen e datës 28.4.2020, ku në aksin rrugor Mamurras– Ura e Drojës, në dalje të qytetit të Mamurrasit, shtetasi me iniciale B.N u akuzua, sesi pasojë e një konflikti verbal me shtetasin me iniciale K(N)SH(P),ka qëlluar me armë zjarri drejt makinës së këtij të fundit.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kurbin, me vendimin nr. 628-74, datë 10.05.2021 ka vendosur: 1. Deklarimin fajtor të të pandehurit B.N, për kryerjen e veprës penale “Vrasje me dashje”, mbetur në tentative, parashikuar nga neni 76 e 22 i Kodit Penal, dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 7 (shtatë) vjet burgim. 2. Deklarimin fajtor të të pandehurit B.N, për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, parashikuar nga neni 278/ 1 i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 5 (pesë) vjet burgim. 3. Bazuar në nenin 55 të Kodit Penal “Caktimin e dënimit për disa vepra penale”, dënimin me e të pandehurit B.N me 7 (shtatë) vjet e 6 (gjashtë) muaj burgim..
Çështja në Apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë nga Prokurori i Rrethit Gjyqësor Kurbin, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit, lidhur me masën e dënimit, si më poshtë: -Për kryerjen e veprës penale “Vrasje me dashje”, mbetur në tentativë, parashikuar nga neni 76 e 22 i Kodit Penal, dënimin me 11 (njëmbëdhjetë) vjet burgim. – Për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, parashikuar nga neni 278/1 i Kodit Penal, dënimin me 5 (pesë) vjet burgim. -Në aplikim të nenin 55 të Kodit Penal në bashkim të dënimeve caktimin ndaj të pandehurit të një dënimi të vetëm prej14 (katërmbëdhjetë) vite burgim.
-Gjithashtu, ankim paraqiti edhe i pandehuri me iniciale B.N, i cili kërkoi prishjen e vendimit dhe pushimin e çështjes pasi nuk vërtetohet fajësia e tij. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Apelit Tiranë, e përbërë nga trupi gjykues me relatore gjyqtare znj. Edlira Petri dhe anëtarë znj. Valdete Hoxha dhe z. Genti Shala, me vendimin nr. 969, datë 17.10.2022 vendosi: -Ndryshimin e vendimit nr. 628-74, date 10.05.2021 së Rrethit Gjyqësor Kurbin. -Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit B.N për veprat penale të “Vrasjes me dashje” të mbetur në tentativë parashikuar nga nenet 76 dhe 22 të Kodit Penal, si dhe “Mbajtjes pa leje të armëve”, parashikuar nga neni 278/2 i Kodit Penal.