Arlind Gjokutaj, sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave i cili u arrestua pak ditë më parë me akuzën e shpërdorimit të detyrës ka shfaqur probleme shëndetësore.
Ai ka shfaqur komplikacione në zemër dhe prej dy ditësh është shtruar te spitali i Kardiologjisë ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Gjokutajt pritej që sot t’i komunikohej masa e sigurisë nga gjykata. Ndërkohë para togave të zeza kanë dalë personat e tjerë që u arrestuan bashkë me Gjokutajn, Fatmir Hoxhaj dhe Alban Ruli.
Hoxhaj mbante postin e drejtorit juridik në MF, ndërkohë Ruli rezulton se është përmbarues, i përfshirë në një skemë abuzimi që dyshohet se i ka shkaktuar shtetit një dëm prej 1.2 mln eurosh.
Ata dyshohet se kanë firmosur dokumentet që kjo shumë t’i kalonte Ilir Thanës, në cilësinë e një ish pronari ndërkohë që ai nuk e kishte një status të tillë. Thana kishte marrë fillimisht një shumë prej 400 mijë eurosh ndërkohë që pjesa tjetër pritej t’i transferohej në muajt në vazhdim.

