Detaje të reja nga arrestimi i Fatmir Manellarit, autori i dyshuar i vrasjes së fqinjit të tij një muaj e gjysmë më parë në fshatin Gështenjas, Safet Hyskollarit.
Sipas policisë autori i krimit të rëndë që ndodhi më 7 shtator 2022, është prangosur brenda banesës së tij.

Sipas News24, policia kishte informacione se autori shkonte në banesën e tij herë pas here dhe më pas fshihej në pyll. Ai ishte në arrati që pas krimit të rëndë.
Nga ky informacion policia ka mbajtur nën vëzhgim shtëpinë e autorit dhe sot ka ndërhyrë për ta arrestuar brenda banesës.
Mësohet se kohët e fundit, banorët e zonës kishin vënë re një shkëputje e bashkëshortes dhe djalit të autorit nga pjesa tjetër e fshatit.
Autori i dyshuar akuzohet për “Vrasja me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Si ndodhi ngjarja
Krimi u regjistrua në fshatin Gështenjas pas konflikteve për një copë tokë midis fqinjëve.
Burime thanë se mes autorit dhe viktimës ka pasur konflikte të vazhdueshme verbale sa herë viktima kthehej me pushime nga SHBA-ja në fshatin e tij.
Konfliktet sipas burimeve lidhen me punimet që viktima kryente në afërsi të shtëpisë.
Konflikti i fundit është regjistruar mbrëmjen e ditës kur ndodhi ngjarja, i cili ka përfunduar me vdekjen e 65-vjeçarit Hyskollari.
Gjatë ditëve të fundit, viktima kishte kryer punime për zgjerimin e rrugës dhe vendosjen e disa tubave prej betoni.
Autori pretendonte pronësinë e ish-Kovaçhanës së fshatit ku ai ka punuar për shumë vite, godinë e cila ndodhet përballë banesës së viktimës.
Autori Fatmir Manellari ka shkuar në mbrëmje tek banesa private e viktimës duke e goditur disa herë me thikë sapo 65-vjeçari ka dalë nga dera.
Sipas të dhënave paraprake thuhet se autori kurohej me medikamente për shkak se vuante nga depresioni. / News 24

