Një prej shqiptarëve që u dënua përjetë në Gjermani për vrasjen e bashkëkombësit të tyre Kujtim Prenga ka apeluar vedimin e Gjykatës. Zeitung shkruan se një prej shqiptarëve ka apeluar vendimin e dhënë të mërkurën nga gjykata e qarkut Verden. Aktgjykimi tani po kontrollohet sërish për gabime ligjore.
Gjykata provoi se dy shqiptarët, 36 dhe 32 vjeç, kishin organizuar atentatin ndaj 46-vjeçarit shqiptar 6 vite më parë për të marr hak për vrasjen e kushëririt të tyre. Zyra e prokurorit publik akuzoi 36-vjeçarin se kishte qëlluar me armë zjarri para një shkolle fillore në Visselhövede, ndërsa 32-vjeçarin si bashkëpunëtor të tij.
KË VRAU PRENGA NË SHQIPËRI?
Kujtim Prenga u qëllua me 5 plumba më 9 janar 2017 në qytetin e Viselhovedes në Gjermani. Ngjarja e rëndë ndodhi në sy të vajzës së tij të mitur, ndërsa 46-vjeçari kishte shkuar për ta marrë në shkollë. Pas 4 ditësh në koma, ai ka ndërruar jetë në spital. Kujtim Prenga, ish-oficer i Policisë Ushtarake, ishte arrestuar dhe dënuar në Shqipëri pasi mesnatën e 30 dhjetorit të vitit 2011 vrau në një lokal me muzikë në Kamëz 28-vjeçarin Armando Frroku.
Prenga atëherë 41-vjeçar punonte si badigard në lokalin me muzikë, kur i riu, i cili dyshohej se ishte nën efektin e pijeve alkoolike pati një sherr për të cilin ndërhyri si roje sigurie Kujtim Prenga. Në sherr e sipër, Prenga qëlloi Armando Frrokun duke e lënë të vdekur. Ai u arrestua pas ngjarjes dhe deri në vitin 2016 ka qenë në burg.
VRASJA NË GJERMANI
Ngjarja ka ndodhur gjatë ditës së hënë 9 janar 2017, ndërsa 46-vjeçari shqiptar u qëllua, gjatë kohës që po merrte vajzën e tij nga një shkollë fillore.
Dy persona të armatosur të cilët lëviznin me motor i janë afruar dhe e kanë qëlluar shqiptarin në sy të vajzës së tij përpara shkollës. Pas kësaj autorët janë larguar me shpejtësi, ndërsa shqiptari, u transportua me urgjencë në spital, ku ndodhej në gjendje të rëndë deri më 13 janar kur edhe ndërroi jetë për shkak të plagëve të marra.

