Prokuroria e Tiranës ka kërkuar 18 vite burgim për Fredi Rrushin, të akuzuar për rrëmbimin dhe vrasjen e biznesmenit Ruzhdi Hoxha, ngjarje e ndodhur në Tetor 2021 në kryeqytet. Fredi Rrushi akuzohet për vrasje me paramendim, armëmbajtje pa leje, fshehje ose asgjësim i kufomës, të gjitha këto në total Prokuroria kërkoi që të dënohet me 23 vite heqje lirie. Por për shkak të gjykimit të shkurtuar, Rrushit do t’i aplikohet ulja e 1/3 së dënimit, që e konverton dënimin e tij në 18 vite heqje lirie.
Ndërsa për vëllain e tij, Pajtim Rrushi, kërkoi 1.6 vite burgim për akuzën e veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Në aplikim të gjykimit të shkurtuar, edhe kjo pretencë ulet me 1/3.
Ndërkohë që deri më tani, edhe pas përfundimit të hetimeve, ende nuk është gjetur automjeti me të cilin u rrëmbye biznesmeni dhe as pistoleta, e cila u përdor për t’i marrë jetën më 5 nëntor të vitit të shkuar në Qafë Mollë.
Fredi Rrushi nga ana tjetër nuk tregon se ku ka lënë mjetin tip “Passat” me të cilën e dërgoi viktimën deri në malin e Dajtit, ku edhe e groposi në humnerë. Për të gjetur mjetin, hetuesit janë “shpërndarë” për të kërkuar edhe në disa pika servisesh në zonën e Kamzës, pasi mendohet se mjeti mund të jetë dërguar për t’u çmontuar. vDeri tani hetuesit kanë në dorë disa pamje filmike por edhe vëzhgimet e nxjerra nga tabulatet telefonike të Fredi Rrushit dhe viktimës Ruzhdi Hoxha, megjithatë mjeti duket se ka avulluar. Mjeti i zhdukur me targa AA0114SY, rezulton në pronësi të një shtetaseje me inicialet A.I., e cila kishte e 9 gjoba të papaguara dhe e fundit është më datë 21 tetor 2021. Pra vetëm një ditë pas zhdukjes së biznesmenit Ruzhdi Hoxha.
Detaj ky që ngre shqetësime lidhur me persona të tjerë që mund të kenë pasur dijeni me gjithë çfarë ka ndodhur me zhdukjen dhe vrasjen e biznesmenit. Deri më tani dihet se makina ka qenë në qarkullim edhe pas zhdukjes së biznesmenit, i cili u denoncua nga familja me 23 tetor, madje një ditë më pas kishte marrë edhe një gjobë. Për të zbuluar më shumë se çfarë ka ndodhur, hetuesit po kërkojnë edhe në serviset e makinave në zonën e Kamzës, pasi dyshohet se mjeti është çmontuar për të zhdukur gjurmët.

