Pak ditë pas sekuestrimit të një shume të madhe parash në portin e Durrësit, është zbardhur edhe dëshmia e pronarit të parave.

Elidon Çela, në autobusin në pronësi të të cilit u sekuestruan plot 522 mijë euro, ka deklaruar se paratë ishin kursime familjare të tij. Ai ka thënë para hetuesve se paratë janë të ardhura të përfituara nga biznesi i tij dhe se është i gatshëm të vërë në dispozicion edhe faturat. “Kemi biznes, paratë janë kursime të familjes, do investoja në toka me qira dhe bujqësi. Askush nuk e dinte për paratë në autobus, kisha frikën e ndonjë grabitjeje”, mësohet të ketë deklaruar ai.

Krahas shumës së madhe të parave, në mjetin e transportit në pronësi të tij janë sekuestruar edhe mallra kontrabandë, për të cilat Çela ka deklaruar se ato janë dërgesa të emigrantëve për familjet e tyre në Shqipëri dhe se për to kishte bërë deklarimet në portin e Barit në Itali nga kishte nisur udhëtimi drejt Shqipërisë.

“Mallrat janë të emigrantëve që jetojnë në Itali, i deklarova në doganën e Barit,” tha ai. Ai ka deklaruar gjithashtu se paratë do t’i investonte në bujqësi për të mbjellë grurë.

OPERACIONI “EUROT”

Policia e Durrësit njoftoi më 21 tetor se kishte organizuar një operacion të koduar “Eurot”, duke sekuestruar shumën prej 522 mijë euro që sipas Policisë ishin të padeklaruara në kufi. Krahas parave, u sekuestruan edhe mallra që Policia thotë se ishin kontrabandë përfshirë cigare, pije alkoolike e deri tek elektroshtëpiake.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, pas një hetimi njëmujor në lidhje me tentativën për të futur një sasi të madhe eurosh të padeklaruara dhe mallra të kontrabanduara, në vendin tonë, kanë organizuar punën dhe në bashkëpunim me Policinë Kufitare të portit të Durrësit dhe autoritetet doganore në këtë port, kanë finalizuar operacionin policor të koduar ‘Eurot’. Në kuadër të operacionit është ndaluar autobusi i linjës Padova – Lushnjë, me drejtues shtetasin Elidon Çela, 32 vjeç.

Gjatë kontrollit paraprak, shërbimet e Policisë kanë konstatuar mallra të ndryshme të dyshuara të kontrabanduara. Autobusi është kthyer për kontroll të specializuar, nga TaskForca permanente që përbehet nga Policia Kriminale e DVP Durrës, Policia Kufitare e portit të Durrësit dhe autoritetet doganore të portit, pasi disponohej informacion nga Policia, se në brendësi të autobusit kishte të fshehura sasi të madha eurosh.

Si rezultat i kontrollit të imtësishëm, në pjesën e sipërme të autobusit janë gjetur të fshehura 6 qese plastmase, brenda të cilave kishte disa pako, me rreth 522 000 euro, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale së bashku me mallrat e dyshuara të kontrabanduara që u gjetën në brendësi të autobusit (kafe, cigare, pije alkoolike, ilaçe, kuti me mentesha, karroca për fëmijë, elektroshtëpiake dhe veshmbathje)”, sqaronte Policia.

Në pranga përfunduan edhe ndihmësit e tij në drejtimin e autobusit, Dritan Kamberi dhe Anold Cankja, të cilët kanë deklaruar se nuk kishin dijeni për shumën e parave. Në pranga përfunduan edhe ndihmësit e tij në drejtimin e autobusit, Dritan Kamberi dhe Anold Cankja, të cilët kanë deklaruar se nuk kishin dijeni për shumën e parave. Ndërkohë, 32- vjeçari ka thënë se ata janë punësuar vetëm për një udhëtim vajtje-ardhje, deklaratë që është konfirmuar edhe nga dy të akuzuarit. Krahas veprave penale të mallrave kontrabandë dhe mos deklarimit të të hollave në kufi, Policia e Durrësit ngriti edhe akuzën e pastrimit të parave, fshehje të të ardhurave, si dhe punësim të paligjshëm.

Leave A Reply

Do t`u japim zë të pazëve dhe t`u kërkojmë llogari atyre që nuk e bëjnë. Ne jemi S.O.S !

 

Exit mobile version