Denis Gjana, 29 vjeç, banues në Tiranë është vënë në pranga nga policia e Pogradecit, pasi është kapur duke transportuar dy emigrantët të paligjshëm drejt kufirit. Në njoftimin e policisë bëhet me dije se i riu është tentuar të ndalohet nga policia, por nuk i është bindur urdhrit të efektivëve dhe është larguar me shpejtësi. Pas ndjekjes, ai është kapur dhe është vënë në pranga. Në mjet i janë gjetur dy emigrantë të paligjshëm, të cilëve u kishte premtuar se do t’i dërgonte në Evropë në këmbim të fitimit.
Njoftimi i policisë Pogradec: Finalizohet operacioni policor “Perimetri 203”. Drejtonte pa leje drejtimi automjetin me të cilin po transportonte kundrejt fitimit, emigrantë të paligjshëm, dhe nuk iu bind urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar, vihet në pranga 29-vjeçari. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec, në bashkëpunim me shërbimet e Sektorit të Policisë Rrugore dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Librazhd, në vijim të operacionit të koduar “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit. Si rezultat u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, i shtetasit:
– D. Gj., 29 vjeç, banues në Tiranë.
Shërbimet e Policisë Rrugore kanë konstatuar në dalje të qytetit të Pogradecit, automjetin tip “Fiat”, me drejtues shtetasin D. Gj., të cilit i kanë bërë shenjë që të ndalonte, pasi kishin dyshime se po transportonte emigrantë të paligjshëm. Drejtuesi i automjetit nuk i është bindur urdhrit të tyre për të ndaluar, por është larguar me shpejtësi. Forcat e Policisë janë vënë në ndjekje dhe më pas u bë i mundur ndalimi i tij nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Librazhd. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet u gjetën 2 emigrantë të paligjshëm, të cilëve shtetasi D. Gj., kundrejt fitimit, iu kishte premtuar transportimin drejt vendeve të BE-së. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprime të mëtejshme.

