Biznesmeni libanez Fadi Mitri, i cili u largua me barrelë nga Shqipëria pasi u dhunua me shkopa bejsbolli në vitin 2016, kërkon drejtësi edhe gjashtë vite pas ngjarjes. Në një rrëfim për ‘Review’, Mitri thotë se është i zhgënjyer nga organet e drejtësisë shqiptare, për mënyrën se si e kanë trajtuar çështjen e tij.
Pas shpalljes në kërkim të Aleksandër Lahos (Rrumi i Shijakut) nga Prokuroria e Posaçme pak ditë më parë, Mitri deklaroi se ishte i bindur që pas dhunës së ushtruar ndaj tij në datën 10 shtator të vitit 2016, qëndronte pikërisht ai. Libanezi thotë se Aleksandër Laho me pseudonimin “Rrumi i Shijakut”, ia kishte thënë qartë që “duhej të largohej menjëherë nga prona e tij”.

Sipas Mitrit, pavarësisht se asokohe ai i ka vendosur në dispozicion të organeve të drejtësisë të gjithë dokumentacionin e nevojshëm ku pretendon se ka dorëzuar fakte të pakundërshtueshme për dhunuesit, drejtësia nuk ka bërë asgjë për të arrestuar fajtorët.
Prokuroria e liroi nga akuzat ‘Rrumin e Shijakut’ me arsyetimin se nuk kishte fakte. Sot biznesmeni libanez Fadi Mitri ende vuan pasojat shëndetësore nga dhuna e ushtruar, ndërsa Aleksandër Laho është i lirë. Pak ditë më parë, ai u shpall në kërkim për akuzën e korrupsionit për dosjen e tjetërsimit të pronave në Gjirin e Lalzit. Ai dyshohet për veprën penale të korrupsionit që lidhet me tjetërsimin e pronave në bregdetin e Durrësit, konkretisht në Gjirin e Lalzit dhe në Hamallaj. Prokuroria ka 2 video që u gjetën në telefonin e Rrumit, që mendohet të jenë regjistruar në vitin 2017. Rrumi shfaqet duke bërë pazar dhe duke i dhënë ryshfet përfaqësuesit të Avokatit të Shtetit, Irgen Kërçuku, në mënyrë që ky i fundit të tërhiqej nga ankimi i procesit gjyqësor të tjetërsimit të 45 mijë metrave katrorë tokë publike në Gjirin e Lalzit. Ish-avokati i vënë nën hetim ka pranuar para SPAK se ka marrë 9 milionë lekë ryshfet me 2 këste, por pretendoi se kishte qenë i kërcënuar për t’i marrë ato.
Si ndodhi dhunimi i biznesmenti libanez?
Ishte data 9 Shtator e vitit 2016. Biznesmeni libanezo-amerikan Faadi Mitri i ishte drejtuar aeroportit të RInasit. Ai, ndodhej në një fuoristradë tip Mitsubishi që drejtohej nga shoferi E.M. Gjatë rrugës, ata ndiqeshin nga një fuorisradë e zezë tip Touareg. Biznesmenit iu duk i dyshimtë mjeti që i ndiqte dhe i ka fotografuar. Në kryqëzimin e Laknasit, Tuaregu përplas nga pas qëllimisht mjetin e Mitrit. Nga aty dalin tre persona të cilët e dhunojnë barbarisht me sende të forta. Pas ngjarjes, tre dhunuesit janë larguar me shpejtësi nga zona. Dhuna ndodhi në prani të bashkëshortes së biznesmenit libanez.
Biznesmeni libanez, u kishte vënë në dispozicion prokurorëve foto të një personi që kishte parë në një prej protestave në vitin 2014 në Gjirin e Lalzit, kundër investimit të tij. Mitri deklaroi se ai person i ngjasonte me një prej dhunuesve, i cili rezultoi se ishte Aleksandër Laho. Ai njihet gjerësisht me nofkën Rrumi. Rrumi, u shoqërua nga policia pas ngjarjes. Ai pati alibi se atë ditë ndodhej jashtë shtetit. Lidhur me prezencën e tij në protestën e zhvilluar në vitin 2011, kundër investimit të Mitrit, Rrumi tha se ndodhej në plazh rastësisht dhe u bashkua me fshatarët.
Rrumi deklaroi para prokurorit se nuk kishte asnjë konflikt pronësie me biznesmenin e huaj. Ky shtetas u vu në përgjim por nuk u siguruan të dhëna me interes për hetimin e çështjes. Në datën 17 Mars të vitit 2017, biznesmeni libanez u largua përfundimisht nga Shqipëria ndërsa kompania njoftoi tërheqjen nga investimi.
Dhuna ndaj biznesmenit nuk ka ende një autor. Pas largimit te Fadi Mitri nga Shqipëria, Prokuroria vendosi sekuestro mbi sipërfaqen prej 45 mije metrash katrore ne Gjirin e Lalzit, ku do te ndërtohej kompleksi turistik. “Omnix Albania”, kompania e Mitrit do të investonte 280 milionë euro tek Gjiri i Lalzit./Dosja.al

