Ndërron jetë 1 muaj pas plagosjes nga bashkëshorti, Marjola Myrtollari. 38-vjeçarja e cila u plagos me thikë më 4 qershor nga bashkëshorti i saj Aleko Myrtollari ka ndërruar jetë sot në QSUT.
Ajo ishte në gjendje të rëndë shëndetësore, ku gjasat për rikthim ishin të pakta për shkak të plagëve të shumta te marra si pasojë e goditjes me thikë disa herë në trup. Edhe pse mjekët kryen disa ndërhyrje kirurgjikale, ajo nuk mundi te fitonte betejën me jetën.
Ngjarja ndodhi rreth 1 muaj më parë në Korçë ku Aleko Myrtollari goditi bashkëshorten me thikë dhe më pas u largua nga vendngjarja për shkaqe xhelozie. Vetëm 2 ditë më pas ai u vetëdorëzua.
Shkak i debatit sipas tij ka qenë shpenzimi i parave që kishte mbledhur gjatë punës në emigrim nga gruaja, Marjola Myrtollari.
“Më mbetën fëmijët pa shkollë për shkak të gruas dhe nuk u edukuan mirë. Unë punoja jashtë shtetit, ajo prishte paratë e mia këtu dhe varte florinj në qavë. U pendova për krimin, s’duhet ta kisha bërë se është nëna e fëmijëve të mi”, është shprehur 46 vjeçari në gjykatë.

