dërkohë që Tirana ziente nga arrestimi i nënë e bir, të cilët kishin mundur të vidhnin qindra mijëra euro në shtëpinë e një punëdhënëseje, emri i së cilës nuk jepej nga Policia, nga spitali vjen lajmi se një i arrestuar për aferat e inceneratorëve kishte ndërruar jetë.
Bëhet fjalë për Enver Sheshin, një nga të fundmit të akuzuar të vënë në pranga në kuadër të hetimit të SPAK për aferat më të mëdha korruptive të qeverisë në vitet e fundit. E ndërsa u bë me herët me dije se Sheshi në fakt kishte kërkuar në Gjykatë që të ndryshohet masa e sigurisë së tij, Gjykata e kishte refuzuar për shkak se SPAK kishte arsyetuar faktin se ai mund të largohej nga vendi dhe njëherësh edhe mund të ndikonte te personat e tjerë të përfshirë në skemën qindra miliona euro që u gjenerua nga emra të njohur të kabineteve qeveritare të Edi Ramës. Emri i Enver Sheshit doli në skenë janarin e një viti më parë ndërkohë që u publikua skema se si funksiononte afera e madhe përmes emrave të cilët në fakt ende nuk dihet se çfarë roli kanë pasur vërtet në këto afera. Sheshi bashkë me një grup tjetër personash rezultonin të ishin biznesmenë të cilët ka dyshime të jenë përdorur nga zyrtarët e lartë për të bërë të mundur kalimin e parave në mënyrë fiktive nëpërmjet bizneseve të tyre.
NGJARJA
Kështu pasditen e së shtunës u mësua se në QSUT kishte ndërruar jetë 59-vjeçari Enver Sheshi, i cili ishte një prej të ndaluarve për inceneratorin e Fierit, i akuzuar për krijim të skemave mashtruese në lidhje me tatimin mbi vlerën e shtuar. SPAK dhe GJKKO janë treguar të ashpër me 59-vjeçarin, i cili ishte i dyshuar për një vepër penale jo të rëndë, dhe gjatë kohës së paraburgimit kërkoi disa herë një masë më të lehtë dënimi për shkak të gjendjes shëndetësore por iu refuzua derisa ndërroi jetë në spital nga ataku kardiak. Për herë të fundit Sheshit i ishte refuzuar ndryshimi i masës së sigurisë 10 ditë më parë pra, më 29 dhjetor 2022.
Problemet me ligjin 59-vjeçarit i kishin nisur që në 2018 ku u hetua si pjesë e skemës me mashtrimin e TVSH me kompanitë ‘Lumi 06’ dhe ‘EL ZA’. Sheshi nuk ishte i dënuar por i dyshuar për një vepër penale që do të thotë se prezumohej i pafajshëm dhe nëse do të merrte një masë më të butë si ajo e arrestit shtëpiak apo detyrimit të paraqitjes do të mundej të kujdesej për shëndetin e tij dhe nuk do të cenonte hetimin pasi ai nuk mund të tjetërsonte asnjë provë, të cilën SPAK ka muaj që i ka sekuestruar dhe së fundi mbylli hetimet duke e kaluar në gjykatë.
AKUZAT
Enver Sheshi, ishte i akuzuar për veprën penale “Krijimi i skemave mashtruese në lidhje me tatimin mbi vlerën e shtuar”. 59-vjeçari, që ndërroi jetë dy ditë më parë, ishte arrestuar më 16 nëntor për inceneratorin e Fierit së bashku me 10 persona të tjerë mes tyre edhe biznesmeni Arben Dervishaj. Enver Sheshi ishte administrator i kompanisë “Leli17” sh.p.k. Për inceneratorin e Fierit u paguan 4 milionë euro për punë që nuk u kryen asnjëherë, ndërsa 60 milionë lekë është dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit në skemën e mashtrimit.
Gjykata e Posaçme me kërkesë të SPAK-ut firmosi 11 urdhër-arreste, për inceneratorin e Fierit, 10 arrest në burg dhe 1 në arrest shtëpie. Për 5 prej tyre vendimi u ekzekutua, teksa 5 të tjerë janë jashtë territorit të vendit. Nga hetimet e SPAK rezultoi se janë pasqyruar shërbime që nuk janë kryer në vlerën e 4 milionë eurove, vlerë e paguar nga Autoriteti Kontraktor dhe e përfituar përmes mashtrimit nga shoqëria koncesionare “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k. SPAK konsideroi se të 11 të akuzuarit, 5 prej të cilëve të arrestuar, ekziston rreziku i ikjes pasi mund të dënohen nga veprat penale për të cilët dyshohen, dhe për këtë arsye argumentohet caktimi i arrestit me burg për ta.

