Mediat keniane i kanë kushtuar artikull vdekjes së Joy Aokos, së resë e cila u dhunua në mënyrë brutale në Shqipëri e më pas vdiq në vendlindjen e saj. ‘Tuco.co.ke‘ shkruan se Joy u sulmua në mënyrë të egër në Shqipëri, e më pas u kthye në vendlindjen e saj aty ku u kujdes nga familjarët, deri në frymën e fundit.
‘Ishte një ëndërr që do të kthehej në një makth pasi ajo e gjeti veten në koma pas një sulmi të egër. U kthye në shtëpi nga qeveria keniane’– shkruhet në artikull.
Ata theksojnë se Joy u gjend më 13 gusht 2022, e shtrirë pa ndjenja poshtë pallatit ku banonte në Tiranë. Sipas nënës së saj Ruth Aoka, vajza e saj ishte viktimë e përndjekjes afatgjatë nga shoferi i kazinosë dhe ajo gjithmonë ankohej se jeta e saj ishte në rrezik. Sipas tyre, Joy ka rënë nga ndërtesa, ngjarje e cila ka çuar në protesta. Sipas Tuco.co.ke’, dëshmitarët treguan se Joy u sulmua pasi u kthye në shtëpi nga puna nga burri që po e linte në banesë.
Nëna e 22-vjeçares Joy Ayoko, Ruth Abongo tha se Joy humbi jetën për shkak se mori një infeksioni. Ajo tregoi se do kërkojë drejtësi për vajzën e saj e cila u dhunua në apartamentin ku jetonte në Tiranë.
Në Tiranë vijojnë hetimet për ngjarjen e rëndë. Hetuesit janë rikthyer për të dytën herë dhe kanë kryer eksperiment hetimor në hotelin prej nga dyshohet se pasi u dhunua u hodh nga lartësia Joy. Në dhomën ku qëndronte vajza si dhe në katin e tretë të hotelit janë marrë fije floku dhe janë çuar për ekspertim.
Policia e Prokuroria janë duke pritur edhe përgjigje nga kompanitë celulare pasi iu kanë sjelle tabulatet. Joy ndodhej e shtruar në spital që prej 14 gushtit të vitit 2022. 22-vjeçarja kishte ardhur në Shqipëri për të punuar në një kazino, por në gusht të vitit të kaluar, u gjet buzë godinës ku jetonte prej muajsh. Dyshimet paraprake ishin se e reja kishte rënë nga dritarja, por nga ekzaminimet e mëtejashme u vërtetua se ishte dhunuar e me shumë mundësi përdhunuar e më pas lënë ne derën e rezidencës ku jetonte.
Oficerët e policisë kanë ripyetur disa persona për të sqaruar paqartësi apo mospërputhje mes deklarimeve të tyre dhe pamjeve të kamerave të sigurisë në zonë. E para që u ripyet ishte shoqja e dhomës se 22-vjeçares e cila është nga Gana. Po ashtu janë pyetur edhe stafi i kazinosë dhe shoferi që e transportoi 22-vjeçaren në rezidencë pak orë para se të gjendej nga banorët jashtë rezidencës në gjendje të rëndë. Deri më tani s’ka asnjë person në pranga të lidhur me ngjarjen.

